Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës duke filluar nga ora 09:30, do të mbahet seanca gjyqësore ndaj grupit më të madh të ish-deputetëve të përfshirë në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

Seanca e 21 marsit ka dështuar të mbahet pasi të akuzuarit nuk janë paraqitur. E vetmja që ishte paraqitur në seancë ishte ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Avokati mbrojtës i ish-deputetit, Pal Lekaj, Musa Damati, ka konfirmuar për Telegrafin se sot do të jenë të pranishëm në seancën gjyqësore.

“Në ora 09:30 do të fillojë seanca gjyqësore për rastin e njohur në hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Klienti im do të jetë në seancë bashkë me mua”, tha Damati.

Ende nuk dihet nëse në seancë do të jetë ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, pasi që e njëjta është e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, dhe se seanca konstituive e Kuvendit, do të fillojë në ora 10:00.

Ndryshe, në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Related Posts