Emilija Rexhepi shpërthen ndaj Abdixhikut: Na përmend në letër, por na përjashton në vendim!

 

 

Zëvendëskryeministrja në detyrë nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilija Rexhepi, i ka reaguar ashpër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, lidhur me propozimin e tij për formimin e një qeverie të tranzicionit.

Rexhepi ka thënë se është „e turpshme, e papranueshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme“, deklarata e Abdixhikut, meqë sipas saj, komunitet jo-shumicë injorohen dhe eliminohen nga dialogu politik, pavarësisht  se në letrën e Abdixhikut përmendet që pjesë e kësaj qeverie do të ishin edhe komunitetet jo-shumicë, shkruan Reporteri.net

„Një qasje e tillë është shoviniste, politikisht regresive dhe thellësisht e dëmshme për vizionin e një Kosove moderne dhe multietnike. Si zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të drejtat e njeriut dhe për çështjet e komuniteteve jo-shumicë, por para së gjithash si boshnjakja më e votuar në zgjedhjet e fundit, duhet ta them qartë dhe me zë të lartë: Kosova nuk është dhe kurrë nuk do të jetë shtet i rezervuar vetëm për një grup etnik. Ajo i përket çdo qytetari të saj – qoftë ai shqiptar, boshnjak, turk, rom, serb, ashkali, egjiptian, goran apo kushdo tjetër që jeton dhe ndërton këtë vend“, ka shkruar Rexhepi.

Ajo ka vazhduar kritikat ndaj Abdixhikut në postimin e saj, duke thënë se një qasje e tillë është zhgënjyese.

„Retorika që bën thirrje për formimin e qeverisë vetëm përmes partive shqiptare, duke përjashtuar përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, nuk është asgjë tjetër veçse një mesazh urrejtjeje dhe mohimi i të drejtave themelore të njeriut, si dhe një shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo nuk është vetëm një gabim politik – kjo është një rënie morale.

Është tronditëse dhe zhgënjyese që fjalë të tilla vijnë nga një lider i ri i LDK-së, nga i cili pritej një vizion përparimtar, bashkues e jo përçarës. Një deklaratë e tillë është fyerje për të gjithë ne që e konsiderojmë Republikën e Kosovës si shtetin tonë dhe që punojmë ditë e natë për demokratizimin dhe rrugën e saj evropiane. Nuk do të heshtim. Nuk do të tërhiqemi. Do të jemi zëri i fuqishëm sa herë që tentohet të heshtet barazia, sepse Kosova është shtet multietnik të cilin do ta ndërtojmë së bashku“, ka shkruar tutje ajo.

Në letrën e Abdixhikut drejtuar Kurtit, tek propozimi për qeveri të tranzicionit, përmendet edhe komunitetet jo shumicë.

„Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje m dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues“, thuhet në letër.

  • Shkrime të ngjashme

    Aksident fatal në rrugën Komoran-Carralevë, një i vdekur e katër të lënduar

    Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë. Një person ka vdekur e katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.…

    E zhdukur prej tetorit në Itali, gjendet trupi i pajetë i 35-vjeçares shqiptare: Ishte 40 kilometra larg shtëpisë

    Ishte zhdukur më 22 tetor, pasi ishte parë për herë të fundit në qendër të qytetit. Sot, të enjten më 15 janar, erdhi lajmi tragjik. Trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35 vjeçe, banore në Trento, u gjet rreth 40…