Barazimi në sekondat e fundit ndaj Leipzigut shtyn festën e Bayernit

 

 

Bayern Munich është praktikisht kampion i Bundesligës, pavarësisht se pësoi një gol në sekondat e fundit dhe barazoi 3-3 me RB Leipzig, një rezultat që i mban në krye me 9 pikë epërsi dhe një diferencë golash +30 ndaj Bayer Leverkusen, që kanë edhe tri ndeshje për të zhvilluar.

Edhe pa Harry Kane, i cili mungoi për shkak pezullimi, bavarezët shpresonin të ngrinin trofeun e kampionit në këtë fundjavë, pas një sezoni pushimi.

Megjithatë, Leipzig nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi rastet më të mira në fillim. Portieri Jonas Urbig reagoi shkëlqyeshëm ndaj goditjes së afërt të Amadou Haidara, ndërsa Benjamin Šeško e humbi një tjetër rast të artë pasi u shërbye bukur nga Xavi Simons.

Bayerni mori kontrollin e topit, por u ndëshkua nga një kundërsulm i rrufeshëm. Xavi ia rrëmbeu topin Michael Olise dhe me një pasim kreativ me të jashtmen aktivizoi Šeškon, i cili realizoi një goditje “trivela” për të kaluar portierin dhe për të gjetur rrjetën nga distanca.

Leipzig e dyfishoi rezultatin më pas, kur David Raum krosoi nga një goditje dënimi e thellë dhe Lukas Klostermann, duke iu shmangur mbulimit, arriti të devijojë topin në rrjetë – madje me veshin!

Në pjesën e dytë Bayerni u zgjua pas minutës së 60-të. Fillimisht, Eric Dier goditi me kokë pas një këndi nga Olise dhe shënoi pranë shtyllës së parë.

Vetëm 46 sekonda më pas, Olise shënoi vetë me një goditje fluturimthi, pas një asisti nga Serge Gnabry, i cili përfitoi nga një humbje topi e menjëhershme e Leipzigut.

Kur gjithçka dukej se po përfundonte me një përmbysje të madhe, Joshua Kimmich asistoi për Leroy Sané, i cili realizoi me një gjuajtje të bukur në këndin e largët.

Por, festa u ndërpre në sekondat e fundit kur Xavi shërbeu për Yussuf Poulsen, i cili me qetësi e kaloi topin mbi Urbig dhe i mohoi Bayernit fitoren e titullit në këtë javë.

Harry Kane do të duhet të presë edhe pak për trofeun e parë madhor në karrierë, por për Bayernin, çdo pikë tjetër do të mjaftojë për të siguruar titullin e 12-të në 13 sezonet e fundit.

Nëse Leverkusen nuk fiton të dielën, Bayerni do të shpallet zyrtarisht kampion. Leipzig ndërkohë do ta ndjekë me interes atë ndeshje, pasi SC Freiburg mbetet rivali kryesor për një vend në Ligën e Kampionëve.

  • Shkrime të ngjashme

    NATO shqyrton krijimin e “Rojës së Arktikut” për t’i zbutur tensionet SHBA–Danimarkë për Grenlandën

    Një nga mënyrat e mundshme për t’i ulur tensionet e tanishme politike mes Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me të ardhmen e Grenlandës mund të jetë themelimi i një misioni të udhëhequr nga NATO-ja, i quajtur “Roja e Arktikut”.…

    Gjenden të vdekur dy burra në Prizren, Policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka nisur hetime lidhur me dy vdekje në Prizren, ku dy burra janë gjetur të vdekur në 24 orët e fundit. Njëri person është gjetur i vdekur në rrugën “Hajdar Shala”, në orët e para të mëngjesit…