Ngërçi politik: Osmani e gatshme për konsultime me liderët e partive

Në shërbim të tejkalimit të bllokadës në Kuvend, presidentja Vjosa Osmani është e gatshme për konsultime me liderët e parive politike kurdo që ata e shohin të nevojshme, ka thënë këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”, ka thënë ai.

Kuvendi dështoi të konstituohet edhe në përpjekjen e gjashtë të seancës konstituive për shkak se kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të katërtën nuk mori votat e mjaftueshme.

Partia e parë, Vetëvendosje, po këmbëngul në kandidaturën e saj, ndërsa partitë opozitare po e refuzojnë Haxhiun si kandidate me arsyetimin se nuk është figurë konsensuale.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) më herët ka deklaruar se është koha që presidentja Vjosa Osmani të marrë iniciativë dhe të thërrasë një takim me liderët e partive politike parlamentare për të diskutuar ndonjë zgjidhje të mundshme meqë seancat kanë hyrë në “një cikël absurd seancash çdo 48 orë”.

“Kushtetuta e ngarkon atë [presidenten Osmani] me detyrën për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, dhe në një situatë si kjo – ku institucioni më i lartë përfaqësues është i bllokuar – angazhimi i saj politik dhe institucional është i justifikuar por edhe i domosdoshëm”, ka thënë KDI.

  • Shkrime të ngjashme

    E zhdukur prej tetorit në Itali, gjendet trupi i pajetë i 35-vjeçares shqiptare: Ishte 40 kilometra larg shtëpisë

    Ishte zhdukur më 22 tetor, pasi ishte parë për herë të fundit në qendër të qytetit. Sot, të enjten më 15 janar, erdhi lajmi tragjik. Trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35 vjeçe, banore në Trento, u gjet rreth 40…

    Hoti paralajmëron dorëheqje nga organet e LDK-së: Partisë i nevojitet lidership i ri

    Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka paralajmëruar dorëheqjen nga organet e partisë, duke theksuar ka thënë se pas rezultatit të dobët më 28 dhjetor LDK-së i nevojitet lidership i ri. Ai ka thënë se më 2021, LDK…