Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Banka Qendrore e Republikës së Kosovë (BQK), njofton se sipas projeksioneve të BQK-së, ekonomia pritet të rritet me 4.2 përqind gjatë vitit 2025, me kontribuues kryesor konsumin, investimet dhe eksportin e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa importi i mallrave dhe shërbimeve pritet të ketë ndikim negativ.

Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje reale prej 4.4 përqind në vitin 2024, e nxitur kryesisht nga konsumi dhe investimet, ndërsa eksportet neto ndikuan negativisht.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vetëm në tremujorin e katërt të vitit, rritja ekonomike ishte 4.1 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Industria përpunuese, tregtia dhe ndërtimtaria janë sektorët që kanë mbështetur këtë rritje, ndërkohë që importet e larta të mallrave dhe shërbimeve kanë reflektuar rritjen e kërkesës së brendshme pas liberalizimit të vizave.

Inflacioni në rënie, por çmimet e ushqimeve mbeten sfidë

Inflacioni ra në 0.7% në TM4 2024 nga 1.3% në tremujorin paraprak, i ndikuar nga rënia e çmimeve të energjisë dhe mallrave të tjera. Megjithatë, rritja e çmimeve të ushqimeve ishte faktori kryesor që ndikoi në nivelin e inflacionit.

Deficit buxhetor dhe rritje të të hyrave tatimore

BQK raporton se të hyrat buxhetore primare arritën në 823.4 milionë euro (rritje prej 11.6%), ndërsa shpenzimet kapën vlerën e 1.1 miliardë eurove (rritje prej 7.0%), duke rezultuar në një deficit prej 289.3 milionë euro. Tatimet direkte dhe indirekte shënuan rritje përkatësisht prej 10.7% dhe 10.1%.

Rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse, rënie e investimeve të huaja

Deficiti i llogarisë rrjedhëse u rrit në 488 milionë euro, një rritje vjetore prej 18.3%, kryesisht për shkak të bilancit tregtar negativ dhe rënies së të ardhurave dytësore. Investimet e huaja direkte ranë me 17.1%, ndërsa remitencat u rritën për 3.0%, duke arritur në 344.2 milionë euro.

Sektori financiar në rritje – bankat dhe fondet pensionale me performancë të mirë

Sektori bankar ka përjetuar rritje të shpejtë të kredive dhe depozitave, me fitime në rritje për shkak të të hyrave më të larta krahasuar me shpenzimet. Pavarësisht kësaj, ka pasur rënie të lehtë të treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe ulje të likuiditetit, megjithëse mbeten mbi nivelet rregullatore.

Sektori pensional ka shënuar rritje të shpejtë të aseteve, kryesisht falë kthimeve nga tregjet ndërkombëtare. Edhe sektori i sigurimeve dhe ai mikrofinanciar kanë regjistruar përmirësim të performancës dhe fitimeve, duke ruajtur qëndrueshmërinë e portofolit të kredive.

Eurozona me rritje të ngadaltë – inflacioni mbetet sfidë

Ndërkohë, ekonomia e Eurozonës u rrit me vetëm 0.2% në TM4 2024, ndërsa rritja vjetore u regjistrua në 1.2%. Parashikimet e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) flasin për një rritje më modeste në vitin 2025 (0.9%) dhe 2026 (1.2%).

Inflacioni në Eurozonë qëndroi në 2.2% për tremujorin e fundit, i nxitur nga çmimet e larta të energjisë dhe shërbimeve. BQE pret që inflacioni të ngadalësohet në 2.3% në vitin 2025 dhe 1.9% në 2026, por mbetet i ndjeshëm ndaj rreziqeve gjeopolitike dhe luhatjeve në tregjet globale.

Related Posts