Bajrami: Akuzat për bllokim nisën t’i bëjnë pasi iu dolën mesazhet për pazare me Listën Serbe

 

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se akuzat e partisë fituese për bllokim të Kuvendit nisën të bëhen në drejtim të tyre pas një bisede që doli në media ku ish-ministri Elbert Krasniqi fliste me “A.K” për krijimin e institucioneve e ku u përmenden “4 vota të Listës Srpska”.

“Manovrat e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes dështuan edhe një herë, pasi iu dolën në publik pazaret me Listën Serbe. Kur dolën mesazhet dhe të gjithë e kuptuan se Albin Kurtin po e votojnë edhe disa deputetë të Listës Serbe, në skenë dolën shërbëtorët e tij për të akuzuar të tjerët, kinse për bllokim të Kuvendit. Kjo propagandë nuk kalon”, ka shkruar Bajrami.

Bajrami, e cila bashkë me deputetët e partisë së saj, si dhe të PDK-së dhe AAK-së, nuk e votuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit pa dhënë dorëheqje Albin Kurti dhe ministrat që fituan mandate, tha se partia që fitoi zgjedhjet po u kërkon atyre të shkelin Kushtetutën.

“Në çfarë situate na kanë sjellë: Ata që për katër vite e kanë shkelë Kushtetutën mbi 10 herë, sot po na e kërkojnë edhe neve ta bëjmë një gjë të tillë. Përgjigjja jonë është JO. E se kush është i paaftë, u pa qartë sot: me gjithë pazaret dhe përpjekjet, LVV arriti vetëm 52 vota”.

Zgjidhja është e thjeshtë, tha Bajrami.

“Jepni dorëheqje , dorëzoni ato te Komisioni për Verifikim dhe ne votojmë raportin, duke i hapur kështu rrugë betimit të deputetëve. Deri tani nuk ka dorëheqje zyrtare. Referenca për “deklarime” të 23 dhe 27 marsit nuk është dorëheqje, sepse mbi të gjitha kur jep dorëheqje s’mundesh me u kthy në zyre të Qeverisë e me ushtru funksion prapë. Mbi të gjitha Kuvendi nuk merr vendime mbi deklarata, vendimet në Kuvend merren në bazë të dokumenteve”, tha ajo.

  • Shkrime të ngjashme

    Pas Osmanit e Kurtit, Sorensen takon Bedri Hamzën

    Pas takimeve me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin dhe Presidenten Vjosa Osmani, Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, ka takuar kreun e PDK’së, Bedri Hamzën. Për takimin ka njoftuar Hamza, ku ka thënë se kanë diskutuar për nevojën e konstituimit…

    Ambasadorët evropianë takojnë Kurtin, flasin për formimin e shpejtë të Qeverisë

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav bashkë me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve në Kosovë kanë takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, në të cilin takim Orav thotë të kenë diskutuar për zhvillimet paszgjedhore.…