Gjermania mbyll gjysmën e derës për punëtorët nga Kosova dhe rajoni

 

 

Në Gjermani është arritur një marrëveshje e re për formimin e qeverisë së ardhshme, nën drejtimin e kancelarit të pritshëm Friedrich Merz (CDU). Në qendër të kësaj marrëveshjeje janë politikat e reja të migracionit, kufizimi i ndjeshëm i Rregullores së Ballkanit Perëndimor dhe ndryshimet në ligjin për shtetësinë.

Sipas kontratës qeverisëse, kuota vjetore për leje pune për qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të përgjysmohet – nga 50.000 që u vendos vitin e kaluar, në 25.000.

Kjo prek drejtpërdrejt qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Ekspertët argumentojnë se sistemi i migracionit duhet të bazohet më shumë në kualifikime profesionale sesa në origjinën gjeografike.

Migracioni: Kontrolle dhe kthime

Po ashtu, do të ashpërsohen rregullat për marrjen e shtetësisë gjermane: në të ardhmen, ajo nuk do të mund të merret më pas tre vitesh qëndrimi, por vetëm pas pesë vitesh.

Masat përfshijnë gjithashtu ndalimin e bashkimeve familjare për disa kategori refugjatësh dhe përfundimin e pranimeve vullnetare, përfshirë për ata nga Afganistani.

Kancelari i ardhshëm Friedrich Merz e përshkroi marrëveshjen si një “sinjal të fortë për Evropën”, duke shtuar se “Gjermania është në rrugën e duhur”, se “Evropa mund të mbështetet te Gjermania”, dhe – në drejtim të presidentit amerikan Donald Trump – se Gjermania do të përmbushë detyrimet në fushën e mbrojtjes dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e saj.

Përtej migracionit, marrëveshja parashikon masa për të ringjallur ekonominë gjermane pas tre vitesh recesion: ulje taksash për sipërmarrjet, përjashtim nga tatimi i orëve shtesë të punës dhe më shumë fleksibilitet për pensionistët që duan të punojnë.

Ndërkohë, Ballkani Perëndimor mbetet në axhendën ndërkombëtare të Berlinit. Procesi i Berlinit do të vijojë si platformë për mbështetjen e vendeve të rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian./

  • Shkrime të ngjashme

    Nëse shihni personin në foto lajmëroni policinë

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për grabitje. Në njoftimin e lëshuar nga ana e Policisë, është shpërndarë edhe një foto e te dyshuarit. “Të nderuar, për çdo informatë që mund të…

    Shtëpia e Bardhë sfidon Grenlandën: Nga cila anë, o grenlandezë?

    Shtëpia e Bardhë publikoi së fundmi një grafik që ilustron Grenlandën para një zgjedhjeje strategjike: ndikimin amerikan ose atë ruso‑kinez. Postimi paraqet një person me flamurin e Grenlandës pranë një kryqëzimi rrugësh, ku një rrugë çon drejt Shtëpisë së Bardhë…