Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

Categories: Kosovë, Lajme

by kfvanews

Share

 

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbledhur deputetët e zgjedhur të kësaj partie për legjislaturën e re të Kuvendit.

Në fotot e publikuara nga Abdixhiku, nuk shihet deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti, i cili ka ngritur shqetësim për votat me postë të mërgatës e kërkoi lidership të ri në LDK, shkruan Reporteri.net.

“Nga takimi i parë i Grupit të ri Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mes deputetëve të rinj e atyre me plot përvojë, mes zërit të 171 mijë votuesve tanë, në rrugëtimin e palëkundur për Lidhjen tonë, për Republikën tonë, për qytetarët tanë! Një zë, një shtëpi, një qëllim! ✌️”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, Reporteri.net kishte publikuar një seri të bisedave mes anëtarëve të Kryesisë së kësaj partie në grupin në Whatsapp dhe Viber, ku drejtoheshin akuza për manipulim me votat e mërgatës.

Një prej tyre ishte përplasja në “Viber” mes Kujtim Shalës dhe Arben Gashit. Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave brenda LDK-së dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.

“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.

“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.

“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, insistonte Arben Gashi në mesazhin në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.

Reporteri.net e kishte publikuar edhe mesazhin që kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ia kishte dërguar Avdullah Hotit në Viber, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme për votat e mërgatës.

Abdixhiku e niste këtë mesazh me “Përshëndetje Avdullah”. Aty Abdixhiku thotë se është i brengosur vetëm për votat e partisë.

Për kryetarin e LDK-së akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk ishin brengë. Sipas tij s’do të duhej të ishin as për bashkëpartiakët e tij. I quante “luks momental”, që s’habitej që disa i kishin.

“Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë”, shkruante Abdixhiku në “Viber”, derisa i përgjigjej vetëm shqetësimeve të Avdullah Hotit, i cili pajtohej me kërkesën e anëtarëve tjerë të kryesisë së LDK-së që kërkonin që situatës t’i vihej emri: “skemë e organizuar kriminale”.

“Skemë kriminale”, gjendjen me votat me postë brenda listës zgjedhore të LDK-së e kishte emërtuar edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Një mesazh të tij që akuzonte partinë për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në një nga grupet e brendshëm të komunikimit të Kryesisë së partisë.

Related Posts