26 vjet nga Kosharja- beteja që shkatërroi kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë

 

 

Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës, transmeton KFVA.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.

Thyerja e kufirit në Koshare jo vetëm që shënoi një fitore të madhe morale, por ajo edhe praktikisht mundësoi furnizimin e luftës me armatim dhe municion.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…