• Mon. Oct 13th, 2025

Labinotin bullizmi nuk e mundi kurrë, tani ai është zëri i të pambrojturve!

Bykfvanews

Apr 7, 2025

 

Ka lindur me një sfidë. Me një çarje në buzë që ia vështirësonte të folurit, frymëmarrjen dhe ia ngurtësonte vështrimin e botës ndaj tij. Për shumëkënd, ishte “ai djali me defekt”, “ai që s’duket mirë”, “ai që nuk flet qartë”. E për pak kush, thjesht Labi.

Labinot Azemi e nisi jetën si shënjestër. Shënjestër e bullizmit, e përqeshjeve, e talljeve mizore që nuk vinin vetëm nga fëmijët e klasës, por edhe nga vetë mësuesit – ata që duhej ta edukonin e ta mbronin. Ai u rrit me përçmim në sy dhe me heshtje therëse në shpirt. Shkolla fillore s’e mësoi dot si të shkruante një hartim të mirë, por e mësoi si të fshinte lotët fshehurazi

Në gjimnaz, ofendimet morën formë më të rritur, por jo më pak të dhimbshme. Ndryshe nga ajo që pritet – që koha shëron – për Labin, koha vetëm i rriste plagët. Por një ditë vendosi ta përdorte dhimbjen si lëndë djegëse për ëndrrën që e kishte fshehur në sirtarët më të thellë të shpirtit: të bëhej gazetar.

Gazetaria për të nuk ishte vetëm profesion. Ishte revoltë. Ishte armë. Ishte mënyra për t’i treguar botës që fjalët nuk i përkasin vetëm atyre që duken “normal”, por edhe atyre që duken ndryshe. E kur hyri në fakultet, shpresoi të gjente mbështetje. Gjeti edhe më shumë përçmim. Profesorë që e anashkaluan, e distancuan, e nënvlerësuan. Ata që sot dalin me opinione në media, nuk i dhanë kurrë mundësinë të shprehej në klasë.

Por Labi nuk u dorëzua. Ai e mbaroi fakultetin me dinjitet. U diplomua dhe hyri në media si një ushtar i së vërtetës. Me shumë mund, solli në jetë emisionin “Thuhet”, ku të ftuarit rrëfenin për bullizmin që kishin përjetuar. Emisioni u bë i njohur, u shikua e u përqafua nga publiku, por jo edhe nga sistemi. Për dy vite rresht, Labi paguhej vetëm 180 euro – për punë të përditshme, me përkushtim, pa pushim.

Por as kjo nuk e ndali. Ai e dinte që misioni i tij nuk kishte çmim. Dhe ndërkohë që sistemi e shpërfillte, ai bëri operimin e fundit – atë që përmirësoi pamjen e tij fizike dhe me të, hoqi barrën e vjetër që e ndiqte që nga fëmijëria.

Sot, Labi është kthyer. Me të njëjtin emision, por në një media të re. Me të njëjtin zë, por më të fortë. Me të njëjtin qëllim: të luftojë bullizmin, ta zhveshë nga heshtja, dhe t’i bëjë thirrje institucioneve që të mos jenë më spektatorë të dhimbjes së fëmijëve tanë.

Sepse sot, Labinoti nuk është më ai fëmija që qan në bankë. Është gazetari që flet për gjithë ata që s’kanë zë. Dhe ne, duhet ta dëgjojmë.

Historia e Labinot Azemit nuk është vetëm për t’u lexuar – është për t’u ndier, për t’u reflektuar dhe për t’u mbajtur mend si shembulli më i pastër i asaj që ndodh kur dhimbja nuk të thyen, por të formon.

Shkruan Gazeta dhe Agjencia e Lajmeve KFVA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *