Ka arritur në mbi një mijë numri i viktimave nga tërmeti në Mianmar.
“BBC” raporton se deri më tani, ushtria e këtij shteti ka konfirmuar se janë shënuar 1 mijë e 7 viktima, numri i të lënduarve ka shkuar në 2 mijë e 389 ndërsa 30 persona janë të zhdukur.
Po ashtu në rajonin e Mandalay, janë dëmtuar mbi 1 mijë e 500 shtëpi, aty edhe ku ishte epiqendra e tërmetit, transmeton Nacionale.
Ndryshe, një tërmet i fuqishëm e goditi të premten pjesën qendrore të Mianmarit, ndërsa njerëzit dolën në panik nga ndërtesat në Yangon dhe në Bangkok, kryeqytet i Tajlandës fqinje, thanë dëshmitarët.
Vëzhguesi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se tërmeti pati fuqi prej 7,7 shkallësh të Rihterit dhe ndodhi në thellësi prej 10 kilometrash nën sipërfaqe. Pas tij ndodhi edhe një dridhje e fortë, raportoi agjencia e lajmeve “Reuters”.
Epiqendra e tërmetit ishte rreth 17 kilometra nga qyteti Mandalay, në të cilin banojnë rreth 1,2 milion njerëz, sipas USGS-së.