• Sat. Oct 11th, 2025

Rexha: Klima e pushtetit të VV-së ka qenë kundër gazetarëve, kërkojmë reflektim

Bykfvanews

May 2, 2025

 

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, e ka cilësuar si rangim shokues renditjen e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit, ku ka rënë për 24 vende.

Rexha tha se AGK e sheh këtë si relfketim i asaj që ka ndodhur vitin e kaluar dhe që ka qenë një fushatë vazhdimisht e njëjtë e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, shkruan KFVA.

“Ky është një alarm i jashtëzakonshëm, është një rangim shokues që e lë Kosovën si vendin e fundit, më së keqi në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Rexha në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”.

Ai tha se klima e Qeverisë Kurti ka qenë vazhdimisht kundër mediave dhe se kjo është vërtetuar edhe me Ligjin për KPM’në, që pastaj u rrëzua nga Kushtetuesja.

Edhe në raport përmendet ky ligj, fushatat e vazhdueshme ndaj gazetarëve, ndërhyrja apo mungesa e pavarësisë së RTK’së, siguria e gazetarëve, rritja e padive SLAPP e të tjera.

Rexha propozoi formimin e një task force për të adresuar gjetjet e këtij raporti, teksa shtoi se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjithë për këtë.

Ndryshe, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

 

© 𝗞𝗙𝗩𝗔 – 𝗮𝘁𝘆 𝗸𝘂 𝗳𝗷𝗮𝗹𝗮 ë𝘀𝗵𝘁ë 𝗽ë𝗿𝗴𝗷𝗲𝗴𝗷ë𝘀𝗶 𝗱𝗵𝗲 𝗲 𝘃ë𝗿𝘁𝗲𝘁𝗮 𝗻𝘂𝗸 𝗸𝗼𝗺𝗽𝗿𝗼𝗺𝗲𝘁𝗼𝗵𝗲𝘁 𝗸𝘂𝗿𝗿ë!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *