Bordi i drejtorëve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovë (KOSTT) ka emëruar Shaban Nezirin u.d. kryeshef ekzekutiv.
Ky vendim ka ardhur pas shkarkimit të kryeshefit Evetar Zeqiri në po të njëjtën ditë.
KOSTT ka bërë të ditur se bordi i drejtorëve të KOSTT-it në takimin e mbajtur sot, në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe Statutin e kompanisë ka marrë vendim që t’i ndërpresë marrëdhënien e punës kryeshefit ekzekutiv të KOSTT, Evetar Zeqirit.
“Me këtë rast, Bordi ka emëruar z. Shaban Neziri, zëvendës Kryeshef Ekzekutiv, si ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT sh.a, deri në marrjen e një vendimi tjetër”- ka njoftuar KOSTT përmes një komunikate.
Po ashtu është njoftuar se Shaban Neziri, me profesion inxhinier i elektroteknikës, është pjesë e KOSTT që nga themelimi i saj dhe gëzon një përvojë të gjatë profesionale brenda kompanisë.
“KOSTT mbetet i përkushtuar ndaj garantimit të sigurisë në operimin e Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Një ditë më parë u shpalosën dyshime për kompani energjetike me veprimtari të “dyshimtë”, që kanë bërë shitblerje të rrymës me KEK-un dhe KOSTT.
Sidoqoftë, nuk dihet nëse shkarkimi i Zeqirit lidhet me rastin e lartëshënuar.
