Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, është rikthyer pas 4 vitesh në Kuvend.
Me të arritur ai nuk ka pranuar të flasë në hyrje të Kuvendit të Kosovës, për seancën konstituive. Ka thënë shkurt se sot është ditë solemne. Rikthimi i Limajt në Kuvend ndodh mes zërave që e pozicionojnë atë si një figurë kyçe për arritjen e një shumice prej 61 ulësesh, të cilën Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet ta sigurojë për krijimin e institucioneve të reja.
Sidoqoftë, vetëm një ditë më parë, Limaj theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë marrëveshje mes tij dhe VV-së.
Limaj, pak ditë pas zgjedhjeve të 9 Shkurtit kishte deklaruar se partia e tij është e gatshme të japë kontributin në procesin e krijimit të institucioneve.
Ai sot ka refuzuar të deklarohet nëse mbrëmë ka pasur takim me Kurtin.
Fatmir Limaj dhe partia e tij siguroi 3 ulëse në Kuvendin e Kosovës si pjesë e koalicionit parazgjedhor me AAK-në.