Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka goditur Prokurorinë Speciale pas bastisjeve që u kryen dje në Ministrinë e Bujqësisë nën dyshimet për keqpërdorime të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumenteve dhe për mashtrim në prokurim publik.
“Qindra dosje me dyshime për korrupsion e keqpërdorime të detyrës zyrtare janë dërguar në prokurori nga Qeveria jonë. Prokuroria asnjë veprim. Asnjë bastisje nëpër institucione pas atyre denoncimeve që i kemi bërë. Heshtje totale. Por mjafton një lajm diku në portale, e menjëherë vrapohet me bastisje në Ministri. Portale e gazeta ka pasur tash e sa kohë, por çështja është a kishte ato kohë Prokurori?!. Përgjigjen e dimë të gjithë”, ka shkruar ajo.
“Keqpërdorimet, abuzimet, e shkatërrimet e ndërmarrjeve publike sikurse edhe pasurimi i pajustifikueshëm i zyrtarëve të lartë ka ndodhur para syve të Prokurorisë. Drejtësia s’duhet të jetë selektive. Aq më pak spektakël”.
Në një komunikatë të përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se kanë kryer veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave rreth dyshimeve në Ministrinë e Bujqësisë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 83 par. 1 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e Ministrisë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes”.