• 1 Dhjetor 2025 23:28

Deadline i Lumir Abdixhiku per degët – Deri të enjten listat për deputetë – Pritet rikthimi i Agim Veliut?

Dhj 1, 2025

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot mbajti mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku u bë e ditur se kryetarin i kësaj partie, Lumir Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, shkruan KFVA.

Burimet e Periskopit bëjnë të ditur se degët e partisë, duhet të mbajnë sa më parë mbledhjet e kryesisë dhe kanë afat deri ditën e enjte t’i dorëzojnë në seli qendrore listat me emrat e kandidatëve për deputet.

Sipas të të njëjtit burim, në Podujevë pritet të ketë befasi në listën për deputet, ku në mesin e pesë kandidatëve, pritet të jetë edhe Agim Veliu.

Veliu, ditë më parë përmes një statusi në Facebook, kërkoi publikisht që të përfshihet në listën e LDK-së për deputet.

Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal. Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite….

Prandaj, është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite”, kishte shkruar ai.

Ndryshe, dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë do të përfundojë më 7 dhjetor 2025.

“Deri më 7 dhjetor 2025 subjektet politike duhet të dorëzojnë në KQZ listën me emrat e kandidatëve për deputetë që kërkojnë të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme. Ky afat shënon një moment vendimtar në procesin zgjedhor, pasi pikërisht në këtë periudhë subjektet politike do të formalizojnë kandidatët për deputetë me të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet e funddhjetorit”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.