• 1 Dhjetor 2025 23:28

Votimi jashtë vendit, Murati krahason Kosovën me Rumaninë: Opozita po bën ç’mos që ta pengojë votën e diasporës

Dhj 1, 2025

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, e ka krahasuar Kosovën me Rumaninë, lidhur me procesin e votimit të mërgatës.

Murati ka thënë se Rumania në zgjedhjet e sivjeme për postin e presidentit, ka organizuar 965 vendvotime jashtë shtetit për t’ia mundësuar diasporës që t’i kenë sa më afër vendvotimet dhe ta kenë sa më të lehtë për të votuar.

Ai ka akuzuar partitë tjera se po tentojnë që ta pengojnë votën e diasporës në Kosovë, me kundërshtimin që votimi të organizohet edhe jashtë përfaqësive diplomatike, shkruan KFVA.

“Sepse e drejta kushtetuese e bashkatdhetarëve po shkilet, duke ua pamundësuar atyre që të votojnë fizikisht – ashtu siç tashmë bëjnë diaspora e shteteve anëtare të BE-së. Thjeshtë, opozita po bën ç’mos që ta pengojë votën e diasporës sonë”, ka shkruar Murati.

Propozimi për votim jashtë përfaqësive diplomatike, ambasadave dhe konsullatave, është bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Votimi në hapësira të tilla është miratuar nga KQZ, por më pas LDK është ankuar në PZAP, ku i është aprovuar ankesa dhe është rrëzuar vendimi i KQZ’së./Reporteri.net