Më 7 janar 2023, ministrja flamande, Zuhal Demir, pati vizitë të padëshiruar në banesën e saj në Genk. Një shqiptar kishte kaluar mbi rrethimin dhe ishte futur brenda përmes një dritareje.
“Ai e kontrolloi gjithë shtëpinë dhe vodhi pesëdhjetë euro nga një ‘derrkuc kursimesh’”, tha prokurori të hënën në mëngjes gjatë shqyrtimit të çështjes në gjykatën e Tongerenit.
Hetuesit arritën ta lidhin personin në fjalë me ngjarjen përmes gjurmëve të ADN-së.
Ai më herët ishte dënuar gjithashtu për vepra të ngjashme që i kishte kryer në janar dhe shkurt 2024. Për to, ai kishte marrë tashmë tre vjet burg. Përveç kësaj, ai është i njohur edhe nga autoritetet në Gjermani dhe Spanjë.
Prokurori i Tongerenit kërkon për thyerjen e shtëpisë së Demirit një dënim prej një vit burg dhe një gjobë prej 1.600 euro.
“Kur dikush vjedh me thyerje në shtëpinë tënde, kjo cenon në mënyrë të jashtëzakonshme ndjesinë e sigurisë”,deklaroi prokurori, transmeton oranews.
Shqiptari u lirua muajin e kaluar me kushte dhe ndërkohë u kthye në Shqipëri. Për shkak se ai ka një ndalim hyrjeje në Evropë, ai nuk ishte i pranishëm në gjykatë të hënën gjatë shqyrtimit të dosjes.
Avokatja e tij kërkon një deklarim të thjeshtë fajësie ose shkrirjen e dënimit me atë të mëparshmin, duke qenë se bëhet fjalë për vepra të ngjashme. Ajo foli gjithashtu për tejkalimin e afatit të arsyeshëm.
“Ai ka ardhur nga Shqipëria në Belgjikë si bojaxhi, në kërkim të mundësive për punësim. Ky plan dështoi, por këtu ai ka njohur shoqëri të keqe që e ka shtyrë të kryejë vjedhjet. Ndërkohë, ai e ka rregulluar jetën e tij sërish në Shqipëri. Jeton me familjen dhe punon. Nuk është në interesin e askujt që ai të sillet nga Shqipëria përsëri në Belgjikë për një dënim shtesë me burg”,u shpreh ajo.
Demir nuk u paraqit si palë civile. Vendimi do të jepet më 5 janar.
