• 1 Dhjetor 2025 16:09

Deri tani, 24 mijë e 500 aplikime për të votuar nga diaspora, refuzohen rreth 3 mijë e 500

Dhj 1, 2025

Nga KQZ kanë bërë të ditur se vetëm nga data 26 deri më 30 nëntor kanë pranuar 24 mijë e 500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se nga këto janë aprovuar 14 mijë e 500, ndërsa janë refuzuar rreth 3 mijë e 500 prej tyre. Poashtu ai tha se mbi 6 mijë të tjera janë në vlerësim e sipër.

“Nga data 26 nëntor dhe deri më 30 nëntor, pëmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar rreth 24,500 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosoës, prej të cilave janë aprovuar mbi 14,600, ndërkaq janë refuzuar rreth 3,500. Në vlerësim e sipër janë rreth 6,400 aplikime”, tha Elezi.

Sipas tij, pjesa më e madhe e tyre janë regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

“Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 10,500 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe mbi 500 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, mbi 3,500 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

KQZ i informon rregullisht dhe personalisht aplikuesit e refuzuar për arsyet e refuzimit të kërkesës së tyre dhe se do të mund të ri-aplikojnë përmes platformës për regjistrim duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Kjo do të mundësohet gjatë kohës sa zgjatë periudha e regjistrimit”, tha Elezi.