‘Dhe si e transportove kutinë?’, pyeti njëri. ‘Ajo kishte një dorezë, si çantë laptopi. Fut brenda një milion dollarë. Le të kontrolloj më mirë. Jo, një milion e 600 mijë dollarë. Të transportosh një kuti me para, me dorë, nëpër rrugët e Kievit. Nuk ka qenë shumë qejf, shoku im, ta siguroj”.
Kështu funksiononte ryshfeti në Ukrainë, sipas asaj që thonë përgjimet. Zyrtarët merrnin para dhe ndonjëherë nuk kontrollonin as shifrën, për shkak të frikës se mund të kapeshin, ose sepse ishte thjesht një pjesë shumë e vogël, krahasuar me dhjetëra miliona dollarë që lëviznin.
Kur i korruptuari Timor Mindich flet në telefon me ministrin e Energjisë, Herman Halushchenko, dëgjohet toni i njerëzve që ndihen të paprekshëm. Ata qeshin dhe i japin kurajë njëri-tjetrit.
Në një moment përmendin edhe Zelensky-n, pa e ditur se e dëgjonin inspektorët e Agjencisë Antikorrupsion.
Rrethi i ngushtë i Zelenskyt
Ky rreth i ngushtë ka qenë problemi më i madh i Zelensky-t gjatë katër viteve të luftës. Sipas agjencisë, ata kishin krijuar një sistem kriminal, që kërkonte 10–15% nga të gjitha kontratat e kompanisë shtetërore “Enerhoatom”, që merret me energjinë bërthamore, duke vjedhur diku rreth 75 apo 100 milionë euro.
Kutia me dorezë ishte një rast i veçantë, zakonisht nuk kërkohej cash.
Një biznesmen ukrainas thotë se të korruptuarit në Ukrainë nuk i ndotin duart me para cash.
“Ata nuk i ndotin duart me para cash. Duhej të paguaje përmes një firme konsulence, ose kishin njerëz që kontrollonin tatimet, dhe gjobat ishin gjithmonë më të larta se minimumi ligjor. Gjithmonë kishte mënyra për t’i shmangur”, tha ai.
Një rast korrupsioni ndodhi edhe me Kishën. Një fond humanitar prej një milion eurosh u shpenzua kryesisht për “përfaqësim dhe komunikim”.
Kush i kundërshtonte?
Pak njerëz arrinin të kundërshtonin njerëzit pranë Zelenskyt, përfshirë kryeministren Yulia Svyrdenko, armike e Yermak dhe e mbështetur nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjeneralin Valery Zaluzhny, i “internuar” në Londër, ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba, i shkarkuar për autonomi të tepërt, Oleksandr Kubrakov, aspirant për kryeministër, larguar për lidhje të ngushta me presidentin amerikan Joe Biden, dhe zv/kryeministrin Mykhailo Fedorov, i cili kërkoi transparencë mbi dronët dhe fondet që Yermak premtonte për mikun e tij Artem Kolyubayev, producent filmash dhe ish-bashkëpunëtor i Zelensky-t.
Rrethi magjik ishte shumë i rrezikshëm, futeshe me vështirësi dhe dilje edhe më vështirë. Në hetimin për Yermak është përfshirë edhe Rustem Umerov, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ish-ministri i Mbrojtjes, pikërisht ai që Zelensky zgjodhi për të udhëhequr delegacionin në negociatat e Floridës. Një deputet i Radës tha se “faji i Zelensky-t ishte se nuk dëgjoi ata që shihnin vjedhjet dhe lajmëronin”.
Alarmi
Një kambanë alarmi u ndez në qershor kur zëvendëskryeministri i atëhershëm Oleksiy Chernyshov u arrestua dhe u lirua me garanci 2.9 milion dollarë për një aferë me toka publike, e shitur për miqtë e tij.
Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që një politikan i tillë të përfundonte direkt në burg. U zbulua gjithashtu se ai pranonte edhe cash, në zyrë, në zarfe për gruan, madje edhe në një klinikë ku kurohej.
E thërrisnin “Che Guevara” dhe motoja e tij ishte e veçantë. “Ja vlen të luftosh vetëm për gjërat, pa të cilat nuk ja vlen të jetosh”.
E kishte fjalën për Ukrainën? Jo, me siguri për tenderët.
