• 1 Dhjetor 2025 09:43

Maduro rishfaqet në Karakas, Trump konfirmon telefonatën me presidentin e Venezuelës

Dhj 1, 2025

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, bëri paraqitjen e tij të parë publike të dielën pas disa ditësh mungese, duke i dhënë fund spekulimeve brenda vendit se ai ishte arratisur për shkak të përshkallëzimit të tensioneve me SHBA-në, shkruan KFVA.

Maduro, i cili zakonisht shfaqet në televizionin venezuelian disa herë në javë, nuk ishte parë në publik që nga e mërkura, kur postoi një video të tij duke ngarë makinën nëpër Karakas në kanalin e tij Telegram, çka çoi në spekulime të forta për vendndodhjen e tij.

Të dielën, ai u shfaq në një event vjetor të ndarjes së çmimeve të kafesë speciale në Karakasin lindor.

Në imazhet që u transmetuan në internet, A2 CNN raporton se presidenti u ul para një turme dhe u shpërndau medalje prodhuesve të kafesë që prezantonin produktet e tyre më të mira. Ai piu disa lloje kafeje ndërsa mbajti fjalime të shkurtra – asnjëra prej të cilave nuk iu drejtua hapur krizës aktuale në vend.

Në fund të eventit, ai brohoriti se Venezuela është “e pathyeshme, e paprekshme, e pamposhtur”, ndërsa fliste për ekonominë e vendit.

Komentet e dukeshin si një shenjë për tensionet me SHBA-në, e cila ka dërguar dhjetwtra anije luftarake dhe ka vendosur rreth 15,000 trupa në rajon si pjesë e asaj që e quan një përpjekje për të luftuar trafikun e drogës, por Karakasi beson se është një përpjekje për të detyruar Maduron të largohet nga detyra.

Shfaqja e Maduros në eventin e ndarjes së çmimeve për kafe erdhi vetëm pak momente pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi se kishte folur në telefon me udhëheqësin venezuelian.

“Nuk dua të komentoj për këtë – përgjigjja është po”, u tha Trump gazetarëve në bordin e Air Force One kur u pyet nëse telefonata kishte ndodhur. “Nuk do të thoja se shkoi mirë apo keq. Ishte një telefonatë.”

New York Times dhe Wall Street Journal kanë raportuar se Trump dhe Maduro kanë folur në telefon më herët këtë muaj.

Maduro dhe anëtarë të lartë të qeverisë së tij nuk kanë komentuar mbi telefonatën me Trumpin.

Të dielën, Jorge Rodríguez, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, nuk pranoi të diskutonte bisedën, duke thënë se ky nuk ishte qëllimi i konferencës së tij për shtyp, e cila u përqendrua në njoftimin e një hetimi mbi sulmet e fundit detare të SHBA-së ndaj anijeve të dyshuara për drogë në Karaibe që kanë vrarë më shumë se 80 persona.

Ditët e fundit, presidenti amerikan ka rritur presionin mbi Maduron duke paralajmëruar se sulmet në tokë kundër rrjeteve të trafikimit të drogës mund të vijnë “shumë shpejt” dhe duke u thënë linjave ajrore, pilotëve dhe rrjeteve kriminale të shmangin hapësirën ajrore të Venezuelës.

Megjithatë, duke folur në Air Force One të dielën, Trump u tha gazetarëve se paralajmërimi i tij për hapësirën ajrore të Venezuelës nuk ishte një sinjal se një sulm ajror është i afërt.

“Mos e interpretoni si të tillë”, tha presidenti, duke shtuar se e bëri paralajmërimin për hapësirën ajrore “sepse ne e konsiderojmë Venezuelën si një vend jo shumë miqësor”.