Sulmi ndaj terminalit ndodhi vetëm disa orë pasi Ukraina goditi dy anije cisterna nafte, që mendohet të jenë pjesë e ‘flotës në hije’ të Rusisë, e përdorur për të shmangur sanksionet.
Një nga terminalet më të mëdha të naftës në Rusi ka pezulluar operacionet pas një sulmi me dron gjatë natës. Terminali detar i Konsorciumit të Gazsjellësit Kaspik në Novorossiysk u godit nga dronë detarë rreth orës 4 të mëngjesit, raportuan mediat lokale.
Kjo vjen vetëm pak orë pasi dronët detarë goditën dy anije cisternash nafte në brigjet e Turqisë në Detin e Zi, një sulm për të cilin Ukraina e ka marrë përsipër.
Sulmi kishte shkaktuar një operacion të gjerë shpëtimi. Ekuipazhet e dy anijeve u shpëtuan falë ndërhyrjes së shpejtë të rojes bregdetare dhe njësive të shpëtimit.
Anija e parë, Kairos me flamur të Gambias, shpërtheu dhe u përfshi nga flakët rreth 28 milje detare larg bregdetit turk të provincës Kocaeli, ndërsa lundronte pa ngarkesë nga Egjipti drejt portit rus të Novorossiysk, njoftoi Ministria Turke e Transportit.
Pak më vonë, një anije e dytë cisternë, Virat, u raportua se ishte “goditur” në një zonë tjetër të Detit të Zi, rreth 35 milje detare larg bregdetit turk.
Anijet janë në listën e atyre që i nënshtrohen sanksioneve ndërkombëtare, pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, dhe identifikohen si pjesë e flotës së anijeve të vjetra mallrash të përdorura nga Moska për të anashkaluar kufizimet mbi naftën bruto ruse.
Sipas faqes së internetit OpenSanctions, SHBA-të vendosën sanksione ndaj Virat në janar të këtij viti, e ndjekur nga BE-ja, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.
BE-ja më pas vendosi sanksione ndaj Kairos në korrik të këtij viti, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra.
Një zyrtar nga shërbimet e sigurisë së Ukrainës i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se Kievi përdori dronë detarë Sea Baby të prodhuar në vend për të goditur tankerët, të cilët ishin të aftë të transportonin naftë me vlerë pak më shumë se 60 milionë euro.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, shtoi se inteligjenca ukrainase vazhdoi “të ndërmarrë hapa aktivë për të kufizuar aftësitë financiare të Rusisë për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës”.
