Autoritetet moldave kanë njoftuar se dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendit, duke paraqitur një kërcënim për aviacionin.
Ishte shkelja e tretë e tillë brenda nëntë ditësh, raporton skynews.
Ministria e Brendshme e Moldavisë tha se kishte identifikuar dy dronë si rusë dhe se ata kishin fluturuar mbi territorin moldav, duke detyruar mbylljen e hapësirës ajrore të vendit.
Më pas, dronët fluturuan drejt territorit ukrainas, shtoi ministria. Shteti ish-sovjetik ndodhet midis Ukrainës dhe Rumaniës, anëtare e BE-së.
Në një postim në X, presidentja Maia Sandu tha se “në rrugën e tyre për të vrarë civilë, dronët rusë përsëri shkelën hapësirën ajrore të Moldavisë, duke detyruar mbylljen e saj të përkohshme. Ne i dënojmë këto sulme dhe qëndrojmë pranë Ukrainës”.
Moldavia ishte ankuar për një shkelje të ngjashme më 20 nëntor dhe përsëri më herët këtë javë.
Ngjarja e fundit u përshkrua si një akt frikësimi në kontekstin e konfliktit në Ukrainë dhe u dënuan si “veprime të paligjshme dhe të rrezikshme që paraqesin kërcënim për fluturimet civile dhe jetën e njerëzve”. /KFVA/
