• 1 Dhjetor 2025 04:13

Hap i madh për Kosovën: Jepet drita jeshile për fazën e radhës të Lojërave Mesdhetare

Nën 29, 2025

Prishtina ka marrë sot një konfirmim të rëndësishëm në rrugëtimin drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030.

Në Asamblenë e Jashtëzakonshme të ICMG-së u miratua prezantimi i propozimit dhe vazhdimi i përgatitjeve, duke shënuar një hap të madh për kryeqytetin dhe gjithë Kosovën.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh se qyteti po ecën me siguri drejt 2030-ës me vizion të qartë, plan konkret dhe energjinë e një gjenerate që beson se mund të bëjë histori.

Ai përmes një postimi në Facebook, theksoi se Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm sport, por një projekt i madh zhvillimor që sjell urbanizim modern, infrastrukturë të re, mundësi për të rinjtë dhe një dritare të gjerë për ta prezantuar Prishtinën para botës.

Ai përfundoi se puna e madhe sapo ka nisur dhe se vetëm së bashku mund të arrihen rezultatet që i duhen Kryeqytetit dhe vendit.

Postimi i plotë i Ramës:

Sot në Asamblenë e Jashtëzakonshme të ICMG u miratua prezantimi i propozimit dhe vazhdimi i përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Ky është një hap i madh për Kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën. Prishtina po ecën me siguri drejt 2030-ës me vizion të qartë, plan konkret dhe energjinë e një gjenerate që beson se mund të bëjë histori.

Lojërat Mesdhetare nuk janë vetëm sport: janë zhvillim urban, infrastrukturë moderne, mundësi për të rinjtë dhe një dritare e hapur për ta prezantuar Prishtinën në botë.

Falënderim i veçantë për Komitetin Olimpik të Kosovës, Administratën e Kryeqytetit dhe Qeverinë e Kosovës për përkushtimin dhe partneritetin në këtë rrugëtim.

Po ashtu, faleminderit Qeverisë së Shqipërisë dhe Komitetit Olimpik të Shqipërisë që na kanë mundësuar qasjen në det, një bashkëpunim që e pasuron këtë projekt dhe e bën më të fortë dimensionin mesdhetar të Lojërave.

Së bashku gjithmonë mund të bëjmë më shumë dhe më mirë. Puna e madhe sapo ka nisur dhe ne do ta bëjmë bashkë.