Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me vendimin për hapjen e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.
IKD tha se hapja e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat zgjedhore.
Sipas njoftimit publik të datës 27 nëntor 2025, KQZ në mbledhjen e 84-të, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ka marrë vendim për miratimin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit. Ndërkaq, përveç përfaqësive diplomatike, KQZ ka njoftuar se sipas të njëjtit vendim Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues”, kishte thënë KQZ.
Miratimin e këtij vendimi në KQZ e shtyu Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa partitë tjera votuan kundër.
Për këtë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në fjalimin e tij kur u nominua nga partia e tij për kryeministër, akuzoi partitë shqiptare se bashkë me Listën Srpska votuan kundër këtij vendimi.
“Të njëjtit të dashur qytetarë, pra PDK, LDK, AAK, Lista Serbe, kanë votuar kundër që të ia mundësojnë mërgatës të votojnë në hapësira shtesë. Ambasadat tona kanë organizuar hapësira shtesë në mënyrë që mërgata ta ketë mundësinë të marrë pjesë në masë më të madhe për të votuar fizikisht jashtë vendit, por që subjektet opozitare ia paumundësuan këtë në vitin 2021. Sot më në fund kjo u miratua, por PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, votuan kundër. Pra, përkundër votimit të tyre kundër, u miratua hapësira shtesë për votime edhe jashtë ambasadave e konsullatave që fizikisht e bëjnë të pamundur fluksin e qytetarëve tanë atje”, kishte thënë Kurti.
Mirëpo, IKD thotë se Ligji nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, në asnjë mënyrë nuk lejon hapjen e hapësirave shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike.
“Fillimisht, ky Ligj përkufizon se çka është përfaqësi diplomatike: “ambasadë, konsullatë, mision diplomatik dhe mision konsullor, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër dhe në ditën e votimit mund të shfrytëzohet si qendër e votimit, sipas vlerësimeve të KQZ-së”. Përderisa, përmban një kapitull të veçantë për votimin jashtë Kosovës. Mes tjerash, thotë se KQZ kërkon nga MPJ listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Për më tepër, e përcakton që KQZ të kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme listën e përfaqësive diplomatike. Kurse, kjo e fundit t’i ofrojë KQZ-së informacionet e kërkuara”.
“Konkretisht, paragrafi 8 i nenit 96, thotë: “KQZ-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, vlerëson hapësirat fizike për secilën përfaqësi diplomatike dhe, në përputhje me kriteret e përcaktuara, merr vendim për numrin e vendvotimeve dhe për numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike. Jo më vonë se pesë (5) ditë nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve, KQZ kërkon nga MPJ, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Ministria e Punëve të Jashtme obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda tre (3) ditë, nga dita e pranimit të kërkesës. MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ””, ka shpjeguar më tej IKD.
Pra, IKD thotë se ligji në asnjë mënyrë nuk parasheh mundësinë që të lejohen hapësira shtesë jashtë përfaqësive diplomatike, e as mundësinë që MPJD të propozojë ndonjë hapësirë tjetër përveç listës së përfaqësive diplomatike, e cila kërkohet nga KQZ.
“Hapja e hapësirave shtesë nuk lejohet në asnjë mënyrë edhe nëse plotësohet numri maksimal i votuesve të përcaktuar nga KQZ, për secilën përfaqësi diplomatike. Në raste të tilla, rregullat zgjedhore parashohin që sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesit që janë përtej numrit të kufizuar, udhëzohen për mënyra tjera të votimit”.
IKD citoi edhe disa nga nenet e ligjit:
Neni 3 i Rregullores 04/2025 për Regjistrim dhe Votim Jashtë Kosovës, përmes paragrafëve 9 dhe 10 përcakton:
“9. Në bazë të vlerësimit të kapaciteteve për votim në përfaqësi diplomatike, KQZ përcakton numrin maksimal të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, të caktuar si qendër votimi.
10. Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për mënyrat e tjera të votimit”.
IKD tha se kjo mënyrë rrezikon integritetin e procesit zgjedhor dhe hap mundësi për keqpërdorime.
“Në rast të ankesave potenciale, krijohen mundësitë për anulimin e votave në këto Qendra të Votimit, pikërisht për shkak se ligji nuk e lejon hapjen e këtyre qendrave”.
Andaj, IKD bën thirrje që KQZ të ndërpresë veprimet që bien ndesh me ligjin dhe rregullat zgjedhore.
“Respektimi i ligjit përbën themelet e integritetit zgjedhor dhe të funksionimit demokratik të institucioneve. Prandaj, KQZ ka detyrim që brenda mandatit të saj të përcaktuar me ligj, të sigurojë që proceset zgjedhore të jenë plotësisht të ligjshme dhe të besueshme”.
