Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se do të “pezullojë përgjithmonë migrimin” drejt SHBA-së nga të gjitha “vendet e botës së tretë”.
Presidenti amerikan shkroi në një postim në Truth Social se vendimi do t’i “lejonte sistemit amerikan të rikuperohej plotësisht” nga politikat e imigracionit që, sipas tij, kishin dëmtuar “përfitimet dhe kushtet e jetesës” së shumë amerikanëve. Ai nuk dha detaje për planin e tij dhe as nuk përmendi se cilat vende mund të preken.
Komentet e Trump vijnë një ditë pasi një shtetas afgan u akuzua për sulmin me armë ndaj dy pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në Washington DC, prej të cilëve njëri ka vdekur.
Ky dhe njoftime të tjera pas sulmit paraqesin një ashpërsim të mëtejshëm të qasjes së Trump ndaj çështjes së imigracionit, një nga temat e tij kryesore.
Trump më herët kishte thënë se të shtënat e së mërkurës në Washington DC nënvizuan një kërcënim madhor për sigurinë kombëtare dhe premtoi të ndërmarrë hapa për të larguar çdo të huaj “nga çdo vend që nuk i përket këtu”.
Po atë ditë, SHBA pezulloi përpunimin e të gjitha kërkesave për imigrim nga afganët, duke thënë se vendimi u mor në pritje të një rishikimi të “protokolleve të sigurisë dhe verifikimit”.
Më pas, të enjten, Shërbimi i Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS) tha se do të rishqyrtonte karta e gjelbra të lëshuara për personat që kishin migruar në SHBA nga 19 vende.
Kur BBC pyeti se cilat vende përfshiheshin në listë, agjencia iu referua një proklamate të qershorit nga Shtëpia e Bardhë që përfshinte Afganistanin, Kubën, Haitin, Iranin, Somalinë dhe Venezuelën.
Nuk u dhanë detaje të tjera se si do të dukej procesi i rishqyrtimit.
