• 27 Nëntor 2025 22:56

MPJD i kërkon Osmanit shkarkimin e Vehbi Miftarit pas kritikave ndaj Kurtit

Nën 27, 2025

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka nisur një procedurë që prek drejtpërdrejt një nga emërimet diplomatike të Presidentes Vjosa Osmani.

Qeveria e Kosovës i ka dërguar Presidentes Osmani një kërkesë zyrtare për lirimin nga detyra të Vehbi Miftarit, Shef i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan. Kjo kërkesë vjen pas disa ditësh kur Miftari e kritikoi publikisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte marrë pjesë në një koncert të Filharmonisë së Kosovës në Vatikan. Miftari kishte shkruar se ishte anashkaluar tërësisht.

Sipas MPJD-së, Miftari ka kryer “veprime të paautorizuara”, “sjellje të papranueshme” dhe “shkelje të etikës profesionale”, të cilat dëmtojnë integritetin e shërbimit të jashtëm të shtetit. Në tri dokumente të siguruara nga Demokracia.com, MPJD njofton Presidencën se veprimet e Miftarit përbëjnë shkelje të ligjeve dhe rregulloreve të diplomacisë kosovare.

“Fillimisht, më lejoni t’ju shpreh konsideratat e mia më të larta dhe t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona.

Nëpërmjet kësaj shkrese, ju lutem të pranoni arsyetimin lidhur me kërkesën për lirimin nga detyra të Shefit të Misionit të Posaçëm në Vatikan, z. Vehbi Miftari. Lirimi nga detyra propozohet për shkak të sjelljeve dhe veprimeve të paautorizuara të Shefit në fjalë, sjellje dhe veprime që përbëjnë shkelje të etikës profesionale dhe dëmtojnë integritetin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, të ndryshuar me Ligjin Nr. 03/L-207, si dhe me Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm, Nr. 02/2009, e ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren Nr. 04/2014. Mbete mi në dispozicion për të ofruar çdo informacion shtesë mbi arsyetimin e kësaj kërkese, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Me respekt,
Kreshnik Ahmeti
Zëvendësministër në Detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në njëren prej letrave.

Vehbi Miftari ka qenë këshilltar politik i Presidentes Osmani për tre vite, si në Presidencë, ashtu edhe më herët kur ajo drejtonte Kuvendin e Kosovës. Ai dha dorëheqje nga pozita e këshilltarit në janar 2024 dhe pak javë më pas u emërua Shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, një detyrë diplomatike e ndjeshme që kërkon pëlqimin e shtetit pritës dhe vendimmarrje të përbashkët mes Presidentes dhe Kryeministrit.

Vetëm disa muaj pas emërimit, MPJD i ka kërkuar Presidentes Osmanit shkarkimin e Miftarit, duke vënë në lëvizje mekanizmat formalë të diplomacisë.

Pak javë pas hapjes së Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, Miftari u emërua ambasador dhe e njoftoi vetë fillimin e detyrës nga 1 shkurti 2024. Më 12 janar 2024, Presidentja Osmani njoftoi krijimin zyrtar të Misionit, duke theksuar rëndësinë e tij për marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe njohjen e Kosovës.

Në vitin 2023, gjatë një vizite me audiencë private te Papa Françesku, Presidentja kishte theksuar se njohja nga Vatikani do të kishte ndikim të rëndësishëm për shtetësinë e Kosovës dhe integrimin euro-atlantik.