Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është duke u hetuar për veprën penale të kanosjes ndaj dy personave.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur të dielën, më 23 nëntor, në zonën e njohur si “Rruga e Re” në Pejë. Hetimet janë duke u zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Pejë, e cila ka konfirmuar se ministri figuron si i dyshuar në këtë rast.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha për lajmi.net se procedura hetimore është iniciuar dhe se po kryhen të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë e Kosovës.
“Me urdhër të prokurorit është inicuar rast për veprën penale të kanosjes. I dyshuari është një ministër në detyrë i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në një rrugë, derisa ka qenë e bllokuar për shkak të trafikut, dhe sipas tyre i njëjti ka dalë nga vetura dhe i ka kanosur”, ka deklaruar Nikçi.
Hetimet pritet të vazhdojnë deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
