• 27 Nëntor 2025 22:22

Të gjitha vendimet që mori qeveria në detyrë gjatë mbledhjes së fundit

Nën 27, 2025

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e rregullt, në të cilën janë miratuar një sërë vendimesh që prekin fusha të ndryshme – nga mjedisi dhe infrastruktura, te siguria, sporti, arsimi dhe zhvillimi ekonomik.

Në mbledhje është miratuar Udhëzimi Administrativ për mënyrën e emërimit të trupave për vlerësim të konformitetit, i cili rregullon procedurat e aplikimit dhe kriteret që duhet të plotësohen për dhënie apo tërheqje të emërimeve.

Gjithashtu është miratuar Udhëzimi Administrativ për Metodologjinë e Monitorimit dhe Raportimit të Emetimeve të Gazeve Serrë, që synon krijimin e një mekanizmi kombëtar për monitorimin e emetimeve dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së për klimën dhe mjedisin.

Vendime të shumta për shpronësime

Qeveria ka miratuar një numër vendimesh preliminare për shpronësim për interes publik, për projekte infrastrukturore dhe zhvillimore, përfshirë:

Zgjerimin e mihjes së thëngjillit për nevoja të KEK-ut.

Projekte në komunat Shtërpcë, Ferizaj, Suharekë dhe Prizren.

Ndërtimin e rrugëve Korishë–Kabash dhe Mushtisht–Shtërpcë.

Projekte të Komunës së Gjakovës, përfshirë zonën industriale dhe ndërtimin e fabrikës së municionit.

Zgjerimin e kapaciteteve të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Investime në sport, arsim dhe siguri

Qeveria ka ndarë:

23,472 euro për FCF Prishtina 01 – Futsall, për organizimin e ndeshjeve të UEFA Champions League.

25,925 euro për përfaqësimin e Kosovës në Olimpiadën NEO Science në SHBA, ku marrin pjesë 15 nxënës.

850,000 euro për mbulimin e mungesës së mjeteve për paga në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

250,000 euro si shpërblim për Kombëtaren e Kosovës në futboll për arritjen në fazën Play Off të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Qeveria është zotuar për shpërblime shtesë prej 500 mijë euro në rast fitoreje ndaj Sllovakisë dhe 1 milion euro në rast të kualifikimit në Botëror.

Vazhdimi i projekteve të vonuara dhe pjesëmarrja në Davos

Qeveria ka miratuar nismën për Amendamentin Nr. 5 të Marrëveshjes Financiare me BE-në për IPA 2014, duke shtyrë afatin e projekteve për dy vite shtesë, për shkak të vonesave në zbatim – përfshirë ndërtimin e objektit të Komunës së Gjakovës.

Janë ndarë 300 mijë euro për pjesëmarrjen e Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, në kuadër të “House of Kosova”, me synim promovimin e vendit dhe tërheqjen e investimeve.

Mbështetje për institucionet dhe mediat publike

Ministria e Financave ka kërkuar dhe ka marrë miratim për:

875 mijë euro për mbulimin e obligimeve të MPJD-së, përfshirë misionet diplomatike.

4.48 milionë euro për RTK-në si zgjidhje e përkohshme, për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit që nuk e ka miratuar raportin financiar të transmetuesit publik.

Qeveria njoftoi se këto vendime synojnë të forcojnë funksionimin institucional, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.