Një operacion i madh kërkimi është duke u zhvilluar në një nga vendpushimet më të mëdha të skive në Austri sot, pasi disa skiatorë u rrëmbyen nga një ortek i madh.
Ortekët ranë rreth orës 9:30 të mëngjesit të sotëm në terren të hapur pranë qafës Daunscharte, një zonë jashtë pistave të shënuara, në akullnajën Stubai, transmeton Telegrafi.
Video tmerruese tregoi skiatorët duke u përpjekur t’i shpëtonin ortekut ndërsa ai binte me vrull poshtë akullnajës.
Disa skiatorë ishin në këtë zonë jashtë pistës, të cilën policia tha se shkaktoi ortekun. Një pjesë e poshtme e pistës 9 në vendpushim u godit gjithashtu nga muri gjigant i borës dhe u mbyll menjëherë.
Media lokale ka raportuar se të paktën nëntë persona që ishin pjesërisht të ‘varrosur’ në borë janë shpëtuar që atëherë, me tre prej tyre të dërguar me helikopter në spital.
Ashpërsia e lëndimeve të tyre nuk dihet ende. Operatori i vendpushimit të skive tha se disa nga skiatorët u panë duke vendosur airbag kundër ortekut.
