Në fund të vitit të ardhshëm do t’i kemi plumbat e parë që prodhohen në Kosovë, tha ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Pas vendimit të qeverisë në detyrë për shpronësimin e pronave të ish-ndërmarrjes “Ereniku” në Gjakovë, Maqedonci tha se atje do të ndërtohet zona industriale e mbrojtjes.
Sipas tij, pritjet janë që deri në fund të vitit të ardhshëm të funksionalizohet fabrika për prodhimin e municioneve, të cilat do t’i shërbejnë për nevoja të ushtrisë, policisë dhe për eksport.
“Forca e Sigurisë së Kosovës është në një dimension krejt tjetër. Është në një zhvillim dhe standard krejt tjetër. Krahasohet me forcat e tjera që i kemi në rajon dhe më gjerë. Është e gatshme që përveç mbrojtjes së territorit, jetës së qytetarëve, të kontribuojë edhe për paqe dhe siguri kudo në botë… Presim që deri në fund të vitit të ardhshëm kjo fabrikë të funksionalizohet dhe të fillojë prodhimin e këtyre municioneve. Në fund të vitit të ardhshëm do t’i kemi plumbat e parë që do të prodhohen në Kosovë nga një fabrikë shtetërore e Kosovës, për nevoja të ushtrisë, policisë dhe nevoja të eksportit”, tha ai, në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë në detyrë.
Duke folur për arrestimin e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Serbi, Maqedonci tha se këtë çështje e kanë ngritur edhe me aleatët e vendit.
Përkitazi me këtë, Maqedonci akuzoi Serbinë për qasje hegjemoniste ndaj Kosovës.
“Ne si Ministri e Mbrojtjes, duke qenë që përfaqësojmë trashëgiminë ushtarake të popullit tonë, në këtë rast të UÇK-së, jemi të angazhuar dhe diskutojmë sa herë që kemi mundësi me partnerët tanë. Ne ngremë çështjen e arrestimit të pjesëtarëve të UÇK-së. Mirëpo përtej arrestimit të ish pjesëtarëve të UÇK-së, Serbia vazhdon të zbatojë qasje hegjemoniste në raport me vet ekzistencën e shtetit tonë. Nuk është problem vetëm një pjesëtar i UÇK-së, por është problem se Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste në raport me vendin tonë”, shtoi Maqedonci.
Në anën tjetër, Maqedonci pas pyetjeve të gazetarëve u përgjigj edhe në lidhje me dezertimin e një ushtari të FSK-së, i cili pas trajnimit në ShBA nuk ishte kthyer në Kosovë.
Ai tha se i njëjti është larguar nga FSK-ja dhe se janë në kontakt me organet në ShBA për kthimin e tij në Kosovë.
Kurse sa i përket dyshimeve se një pjesëtar i FSK-së dyshohet për sulm seksual gjatë një trajnimi në Britani të Madhe, Maqedonci u shpreh më i rezervuar për të komentuar, pasi tha se ende s’ka një verdikt final nga komisionet përkatëse të FSK-së.
“Së pari ky rast që ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë ai pjesëtari në ShBA, ka ndodhur diku para pesë muajve. Është një rast i izoluar dhe rast që nuk ndodh vetëm te ne, por edhe në shumë vende ku ka lëvizje të ushtarakëve në shtetet e ndryshme. Ne kemi pasur një kontingjent prej më shumë se 130 pjesëtarëve të FSK-së në trajnim në ShBA. Këtë rastin e izoluar e kemi adresuar menjëherë te autoritetet e ShBA-së dhe ambasada jonë. Ai menjëherë është larguar nga FSK. Kemi vendosur kontaktet për kthimin e tij në Kosovë. Në rastin më të mirë për të, ai askund nuk mund ta legjitimojë qëndrimin e tij në ShBA… Kurse për pjesëtarin që dyshohet për sulm seksual në Britani të Madhe, ne kemi ngritur të gjitha komisionet dhe strukturat që merren me këto raste. Ende nuk kemi ndonjë verdikt final”, theksoi ai.
