Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar listën e qendrave të votimit ku mund të votojnë mërgimtarët për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Procesi i votimit do të organizohet më 27 dhjetor në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime, të vendosura në 36 shtete të botës, ndonëse mund të ketë rishikim të listës, shkruan KFVA,
Numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në një vendvotim në përfaqësi diplomatike është 950 votues, teksa qendra të votimit do të hapen edhe jashtë përfaqësive diplomatike.
“…sipas vendimit të KQZ-së, Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues”, thuhet në njoftimin e KQZ’së.
Numri i Qendrave të Votimit për votimin jashtë Kosovës, të miratuara nga KQZ është 60, me gjithsej 109 vendvotime. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit ëshë 103,550.
“KQZ sqaron se kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar. Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës”, thuhet në njoftim.
Periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës ka filluar më 26 nëntor dhe do të përfundojë më 6 dhjetor 2025.



