• 26 Nëntor 2025 23:38

Pranë Shtëpisë së Bardhë, qëllohen me armë dy ushtarë të Gardës Kombëtare

Nën 26, 2025

Dy ushtarë të Gardës Kombëtare janë qëlluar këtë të mërkurë, 26 nëntor, pranë Shtëpisë së Bardhë.

Siç raportojnë mediat e huaja, gjendja e tyre nuk dihet për momentin, ndërsa automjete të emergjencës u panë duke shkuar në zonë.

Task Forca e Përbashkët e D.C. konfirmoi se po përgjigjej ndaj një incidenti pranë Shtëpisë së Bardhë pas raporteve për të shtëna. Megjithatë, zëdhënësi nuk e konfirmoi menjëherë nëse ndonjë anëtar i Gardës Kombëtare ishte qëlluar.

Policia Metropolitane tha në rrjetin X se është në vendin e të shtënave dhe i këshilloi njerëzit që ta shmangin zonën, raporton televizioni CNN.

Garda Kombëtare nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Rrethanat e të shtënave nuk janë menjëherë të qarta.

Pjesëtarë të Gardës Kombëtare nga disa shtete amerikane kanë qenë në Uashington me muaj si pjesë e planit të presidentit Donald Trump për ta shtypur krimin në kryeqytet. Plani është zgjeruar edhe në qytete të tjera.

Presidenti Donald Trump ishte në fushën e tij të golfit në West Palm Beach në Florida kur ndodhi ngjarja.