Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka marrë Çmimin për Evropën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për përpjekjet humanitare të Turqisë për palestinezët dhe rolin e saj në lehtësimin e evakuimeve mjekësore nga Gaza.
Çmimi u dha nga Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, gjatë Kongresit të 11-të Botëror Mjekësor Turk në Ankara të mërkurën.
Në fjalën e tij në ceremoni, Erdogan kritikoi heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare për shkatërrimin e spitaleve dhe vrasjen e pacientëve, punonjësve të shëndetësisë dhe foshnjave në Gaza gjatë dy viteve të fundit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë për botën të largohet nga një realitet ku, për dy vjet të plota, mbeti spektatore ndërsa spitalet në Gaza u bombarduan dhe pacientë, punonjës të shëndetësisë, fëmijë dhe madje edhe foshnja të pafajshme në inkubatorë u vranë”, tha ai.
Erdogani shtoi se bota do të bëhej “një parajsë” ditën kur njerëzimi do të ndajë gëzimin kolektiv të shpëtimit të një jete dhe do të festojë mbërritjen e sigurt të çdo të porsalinduri si lumturinë e vet.
“Kjo është pikërisht ajo për të cilën po punojmë”, tha ai.
Erdogan theksoi se Turqia e ka riorganizuar sistemin e saj të kujdesit shëndetësor në 23 vitet e fundit, duke e shndërruar atë në një rrjet të përhapur, me cilësi të lartë dhe të përballueshëm që i shërben të gjithë popullsisë.
Ai vuri në dukje se vendi tani ofron shërbime të klasit të parë për 86 milionë njerëz me mbështetjen e më shumë se 1.47 milionë personelit shëndetësor. /KFVA/
