• 26 Nëntor 2025 10:50

Kosova u kërkon mërgimtarëve të shmangin kalimet nëpër Serbi

Nën 26, 2025

Pas arrestimit të Avni Qenajt, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, autoritetet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që jetojnë në diasporë të shmangin kalimet nëpër Serbi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar të martën se qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe që udhëtojnë drejt Kosovës, veçanërisht gjatë festave të fundvitit, duhet të shmangin transitin nëpër Serbi.

“Qytetarëve tanë që jetojnë jashtë Kosovës dhe që mund të udhëtojnë drejt vendit, sidomos gjatë festave të fundvitit, u bëj thirrje të shmangin kalimin nëpër Serbi, pasi atje vazhdojnë të jenë në pushtet struktura që nuk dallojnë në mendësi nga regjimi i kaluar serb”, ka thënë Osmani.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se, pas marrjes së informacionit për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga autoritetet serbe, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka ndërmarrë veprimet e para duke i adresuar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmimin e arrestimit.

MPJD ka kërkuar sqarime lidhur me arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale të Qenajt, si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për trajtimin e mëtejmë të rastit.

“Paralelisht, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi e ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Po ashtu, Kosova u ka dërguar notë verbale misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it, të akredituara në Serbi.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës tek personi i arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet”, thuhet më tej.

Ndërkaq, nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) kanë thënë se Qenaj është arrestuar pasi gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë si veteran.

Sipas OVL-UÇK-së, Qenaj kishte kaluar edhe më herët disa herë nëpër Serbi pa pasur ndonjë problem.