• 26 Nëntor 2025 10:46

Fillon regjistrimi i diasporës për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Nën 26, 2025

Sot ka nisur periudha 11-ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.  Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka dhënë detaje të plota rreth mënyrës së aplikimit dhe procedurave të votimit për diasporën.

Elezi shpjegoi se periudha e aplikimit është e hapur nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor 2025.

“Gjatë kësaj periudhe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi bëhet përmes platformës elektronike [https://diaspora.kqz-ks.org](https://diaspora.kqz-ks.org) ose përmes postës, duke dërguar dokumentet në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, tha ai.

Votuesit e diasporës mund të zgjedhin vetë mënyrën e votimit në momentin e regjistrimit.

“Aplikuesit mund të përcaktohen: (1) të votojnë fizikisht në një nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) të dërgojnë fletëvotimin me postë në adresën e KQZ-së në Kosovë; ose (3) ta dërgojnë atë në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë vendit”, deklaroi Elezi.

Ai sqaroi se, nëse përfaqësitë diplomatike arrijnë numrin maksimal të votuesve që mund të pranojnë, aplikuesit e tjerë do të ridrejtohen automatikisht drejt mënyrave të votimit përmes postës.

Sipas afateve të përcaktuara nga KQZ-ja, votimi fizik në përfaqësitë diplomatike do të zhvillohet më 27 dhjetor, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë. Ndërkaq, votimi me postë nis më 12 dhjetor dhe përfundon më 27 dhjetor 2025.