Një grup prej 20 shtetesh amerikane – kryesisht të udhëhequra nga demokratët – si dhe Uashington, D.C., paditën të martën administratën e Presidentit Donald Trump, duke kërkuar rikthimin e mbi 3 miliardë dollarëve fonde federale të destinuara për strehimin afatgjatë dhe shërbime të tjera për personat e pastrehë.
Padia, e dorëzuar në një gjykatë federale në Rhode Island, argumenton se ndryshimet e bëra këtë muaj nga Departamenti i Strehimit dhe Zhvillimit Urban (HUD) në programin Continuum of Care shkelin ligjin federal dhe synojnë në mënyrë të paligjshme komunitetet LGBTQ dhe grupe të tjera që nuk përputhen me prioritetet politike të administratës Trump.
Shtetet kërkojnë ndalimin e shkurtimit të fondeve dhe të kushteve të reja që HUD ka vendosur për përfituesit.
Programi i krijuar në vitin 1987
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, tha se komunitetet në mbarë vendin mbështeten tek ky program për të siguruar strehim dhe shërbime të rëndësishme për qytetarët më të brishtë.
“Këto fonde ndihmojnë dhjetëra mijëra njerëz të mos flenë në rrugë çdo natë,” u shpreh James.
Përveç Nju Jorkut, në padi u bashkuan shtete si Kalifornia, Ilinoi, Pensilvania, Arizona dhe Kentucky.
Programi Continuum of Care, i krijuar nga Kongresi në vitin 1987, mbështet shtetet, qeveritë lokale dhe organizatat jofitimprurëse për ofrimin e shërbimeve për të pastrehët, me fokus tek veteranët, familjet dhe personat me aftësi të kufizuara. Ai ka funksionuar tradicionalisht me parimin “housing first”, që nënkupton sigurimin e strehimit të përhershëm pa kushte paraprake si punësimi apo abstinenca nga droga dhe alkooli.
Fondet gjithashtu përdoren për kujdes fëmijësh, trajnim pune, këshillim për shëndetin mendor dhe transport.
Administrata Trump synon një qasje ndryshe
Administrata Trump ka kritikuar qasjen “housing first”, dhe këtë muaj HUD njoftoi një ristrukturim të programit, duke e zhvendosur fokusin drejt strehimit tranzitor me kërkesa për punë dhe kushte të tjera. HUD gjithashtu ndaloi përdorimin e fondeve për aktivitete që promovojnë diversitetin, barazinë dhe përfshirjen; për abortet elektive; për “ideologjinë gjinore”; apo për çdo veprim që cenon axhendën e administratës për zbatimin e ligjeve të emigracionit.
