Në kohën kur po diskutohen disa pika të rëndësishme rreth fatit të Ukrainës pas arritjes së paqes me Rusinë, presidenti francez njoftoi se trupat e disa shteteve të NATO-s mund të vendosen menjëherë në veprim si paqeruajtës, përcjell Gazeta KFVA.
Presidenti Emmanuel Macron i bëri këto komente të martën në Angola, nga ku tha se trupat franceze, britanike dhe turke janë të gatshme që të dislokohen në Ukrainë sapo të arrihet marrëveshja.
”Kemi rreth 20 shtete që tashmë kanë thënë se do të jenë të gatshme të kontribuojnë qoftë në ajër, në tokë ose në det”, tha Macron.
Ai tregoi se trupat e ”Koalicionit të të Vullnetshmëve” mund të vendosen në disa lokacione jo fort afër vijës së frontit, për shembull në Kiev ose Odessa.
SHBA-ja dhe Ukraina kanë bërë progres në hartimin e një drafti të ri për paqe, por nuk është e sigurt nëse ky plan parasheh vendosjen e trupave të NATO-s brenda territorit ukrainas pas ndaljes së luftës.
