• 25 Nëntor 2025 19:47

Incidenti i mbrëmshëm në Drejtorinë e Përgjithshme, Policia jep detajet

Nën 25, 2025

Policia e Kosovës është deklaruar pas kërcënimit me bombë të marrë në orët e para të së hënës në Drejtorinë e Përgjithshme.

Por, ata nuk kanë dhënë shumë detaje për kërcënimin, të cilin nuk e kanë raportuar as përmes ndonjë njoftimi apo raportit 24 orësh.

Sipas Policisë, çdo informacion apo kanosje trajtohet në përputhje me procedurat ligjore dhe ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme, duke angazhuar njësitë relevante dhe duke koordinuar aktivitetet me institucionet kompetente.

“Policia e Kosovës sipas procedurave dhe autorizimeve të parapara ligjore trajton çdo informacion/rast/kanosje etj, dhe ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore, duke angazhuar njësite relevante policore që parashihen. Po ashtu sipas kompetencës ligjore bashkëpunon dhe koordinon të gjitha aktivitetet dhe veprimet policore me institucionet kompetente.”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Siç ka raportuar  Reporteri.net, thirrja është bërë nga një numër i huaj, ku një mashkull me zë të modifikuar, duke folur në gjuhën serbe, ka pretenduar se në objekt është vendosur një bombë.

Kërcënimi është përsëritur pas disa minutash, gjë që u ka mundësuar zyrtarëve ta incizojnë telefonatën.

Në raportin që e ka parë Reporteri.net, thuhet se zëri i personit është regjistruar nga stafi i bazës për informacionet e ndjeshme dhe autoritetet kanë urdhëruar ngritjen e vigjilencës./Reporteri.net/