• 25 Nëntor 2025 16:58

Përparim Rama i drejtohet Hekuran Muratit: Qiti paret ministër, 35 milionë euro mund të paguhen qysh sot

Nën 25, 2025

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka takuar pjesëtarët e Sindikatës së Punëtorëve të ‘Trafikut Urban’ dhe protestuesit e tjerë nga kompanitë private para objektit të Komunës dhe nga aty ka ftuar Qeverinë e Kosovës në detyrë, konkretisht ministrin në detyrë, Hekuran Muratin që ‘t’i lëshojë paret’.

“Qiti paret ministër, qiti paret, mënjëherë!”, ishte thirrja e Përparim Ramës.“35 milionë euro të hyrave vetanake, që mbahet jashtëligjshëm në Ministrinë e Financave, munden me u pagu sot, tash, në këtë moment.

Nuk ka asgjë që e ndal pagesën e 35 milionëve tash, e që me u pagu edhe operatorët publikë dhe privatë, që mos me i lanë qytetarët pa shërbime”.

Paraprakisht, Përparim Rama, në një konferencë për media ka fajësuar sërish qeverinë në detyrë për, siç ka thënë, mbajtje peng të mjeteve që duhet të ndahen për komunën.

“Ne kemi paralajmëruar me muaj të tërë për bllokadat që po i bëhen kryeqytetit prej ministrisë së Financave në mënyrë të jashtëligjshme. Dje ishim edhe me protestuesit përpara Ministrisë së Financave, përpara Qeverisë ku unë kërkova takim urgjent me ministrin e kryeministrin, por ata refuzuan të takohen. Jam edhe sot i gatshëm të takohem menjëherë kudo që ata dëshirojnë dhe ta zhbllokojmë këtë proces. T’i lëmë prapa politikat bllokuese të mbrapshta, fondet që na takojnë me ligj të transferohen menjëherë e të dalin pagat. Jam i gatshëm për çfarëdo mënyre alternative që ta zgjidhim këtë problem e të zhbllokohet procesi. Zgjidhja është shumë e thjeshtë, menjëherë mund të bëhet nga ministri. Fondet janë tonat, nuk ka asnjë bazë ligjore që t’i mbajë peng”, ka thënë ai në konferencën për media.