• 25 Nëntor 2025 16:58

Besim Kelmendi padit KPK’në, kërkon anulimin e vendimit të shkarkimit të tij

Nën 25, 2025

Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit.

Ai ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.

Shkarkimi i Kelmendit nga kjo pozitë, u bë me votat e pesë anëtarëve të zgjedhur të KPK-së të cilët ishin të pranishëm në takimin e 20 nëntorit, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.

Sipas padisë për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin për caktim të masës së përkohshme, përkundër se vendimi i të paditurës KPK është për shkarkimin e paditësit, meqë nuk është ndjekur procedurë disiplinore dhe vendimi si i tillë nuk paraqet Vendim për masë disiplinore për paditësin, paditësi nuk mund të ushtrojë të drejtën e mjetit juridik të ankesës në Gjykatën Supreme. siç e garanton neni 19 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në padi thuhet se KPK-ja në vendimin për shkarkimin e paditësit nuk e ka trajtuar rastin në kuptimin disiplinor, por nga vetëm 5 prej 10 anëtarëve e zgjedhur të KPK-së është marrë si kinse një nga vendimet e zakonshme të KPK-së, që përbëjnë akt administrativ.

Andaj, duke qenë se KPK është institucion i pavarur siç e garanton Kushtetuta dhe nuk ka organ epror për të shqyrtuar ankesën ndaj vendimeve të tij, paditësi paraqiti drejtpërdrejt këtë padi në këtë Gjykatë.

Në padi theksohet se më 20 nëntor u thirr takimi i KPK-së, i cili për pikë të rendit të ditës kishte: Raportin e komisionit zgjedhor nga radhët e prokurorive themelore nga komuniteti joshumicë apo gjinia e nënpërfaqësuar i datës 3 nëntor 2025. Por, para miratimit të rendit të ditës, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli propozoi që në rendin e ditës të futet edhe shkarkimi i paditësit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Pas këtij propozimi, pesë anëtarët e KPK-së – paditësi si anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Arian Gashi, Visar Krasniqi dhe Dardan Vuniqi – fillimisht e kundërshtuan këtë propozim, duke e konsideruar arbitrar dhe të kundërligjshëm, e më pas e lëshuan menjëherë takimin e Këshillit. E që, në padi thuhet se me largimin e tyre, kuorumi bie automatikisht në më pak se minimumin e kërkuar me ligj.

Më tej, thuhet se kryesuesi Ardian Hajdaraj, duke vepruar sipas detyrimit të tij ligjor, e mbylli mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, e cila juridikisht prodhon efekt përfundimtar, duke shënuar fundin e çdo kompetence për vendimmarrje deri në thirrjen e një mbledhjeje të re.

Sipas padisë, rënia e kuorumit e bën juridikisht të pamundur çdo vendimmarrje dhe se vendimmarrja pas mbylljes së mbledhjes, pa thirrje të re, është akt i nxjerrë në kundërshtim me procedurën thelbësore dhe, si e tillë, përbën shkak të pavlefshmërisë absolute

Po ashtu, aty thuhet se në momentin e marrjes së vendimit të kontestuar, në sallë kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KPK-së, gjë që e bën të pamundur formimin e kuorumit të nevojshëm.

Andaj, sipas padisë, çdo vendim i marrë në këto rrethana është absolutisht i pavlefshëm.

Gjithnjë sipas padisë, është e pavërtetë ajo që theksohet në vendimin e KPK-së se “… pas një pauze të shkurtër vazhdoi takimi”, ngase kryesuesi Ardian Hajdaraj takimin e mbylli në mungesë kuorumi.

Për këtë arsye, Kelmendi pretendon se vendimi për shkarkimin e tij, marrë nga vetëm pesë anëtarë, është: i marrë nga organi jo-kompetent, në mungesë të kuorumit të detyrueshëm, në një takim të ri pas mbylljes së takimit të parë dhe pa respektuar normën imperative të nenit 37/A. Kështu që, paraqet akt administrativ të pavlefshëm.

Në padi po ashtu përmendet se lidhur me këtë vendim të Këshillit, Bashkimi Evropian ka konstatuar se vendimi: shpërfill sundimin e ligjit, dëmton besimin publik dhe minon përparimin drejt BE-së.

Këshilli Prokurorial, sipas tij, veproi pa kuorum; veproi pas mbylljes së mbledhjes, pa një thirrje të re, pa procesverbal të vlefshëm, dhe duke e tejkaluar në mënyrë të papranueshme kompetencën e vet ligjore.

Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e tij, të anulohet vendimi i Këshillit Prokurorial dhe i njëjti të kthehet në pozitën e ushtruesit të detyrës zyrtare, dhe që t’ia paguajnë shpenzimet e procedurës, raporton Betimi për Drejtësi.