• 25 Nëntor 2025 15:42

Rama: Po luajnë me familjet tona, kjo bllokadë nga Ministria e Financave është e jashtëligjshme

Nën 25, 2025

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në konferencë për media i ka kërkuar falje qytetarëve për çka po ndodhë realisht me transportuesit publik. Ai tha se edhe dje në protestë ka kërkuar takim me Kurtin dhe Muratin, por që është refuzuar nga ana e tyre.

Ai tha se është i gatshëm që menjëherë të zhvillojë një takim me ta.

“Për fat të keq jemi ende sot në gjendje të njëjtë sikur dje me protesta të cilat i kuptoj plotësisht. Ju kërkoj falje qytetarë që është ardh deri te kjo pozitë përkundër faktit që ne kemi paralajmëruar me muaj të tërë për bllokadat që po i bëhen Kryeqytetit prej Ministrisë së Financave në mënyrë të jashtëligjshme. Atë çka ne e meritojmë me ligj, janë të hyrat tona vetanake, rreth 35 milionë, ky problem do të zgjidhej por që edhe dje ishim me protestuesit para qeverisë, ku kërkkova takim me Ministrin në detyrë, por ata refuzuan. Jam edhe sot i gatshëm të takohemi menjëherë, kudo që ata dëshirojnë, dhe ta zhbllokojmë këtë proces”, tha i pari i Prishtinës.

“Zgjedhjet lokale tash kanë përfunduar, t’i lëmë politikat bllokuese të mbrapshta”, shtoi tutje Rama.

“Kryeqyteti ka fonde të mjaftueshme për ti paguar të gjithë operatorët, dhe nuk ka problem këtu tek operatorët, problemi është tek Ministria e Financave që vazhdon ta bllokojë buxhetin e kryeqytetit, buxhetin e të hyrave tona vetanake”, tha Kryetari i Prishtinës në konferencë për media.

“Po luajnë me neve, me familjet tona, me fëmijët tanë, pleqtë tanë. Kjo bllokadë nuk e ka pas impaktin vetëm në Trafikun Urban, edhe kompanitë tjera janë. Shkollat që kanë mbetur pa rrymë, të gjitha këto janë pjesë e kësaj bllokade. Derisa te çbllokon, s’mundemi me fol diçka tjetër. Kudo që jam i nevojshëm jam 24 orë për të çbllokuar këtë bllokadë të jashtëligjshme. Uroj që të reflektojnë edhe Kryeministri edhe Ministri, e të bëhemi bashkë sepse mundemi me zgjidh këtë problem”, tha Rama.