• 25 Nëntor 2025 14:15

Skandal nga VV në KQZ: Propozohet që mërgatës t`i dërgohen fletëvotimet me email, e jo përmes postës?

Nën 25, 2025

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi, kanë dalë hapur kundër që KQZ t’ua dërgojë me postë fletëvotimin origjinal atyre votuesve jashtë Kosovës që regjistrohen për të votuar me postë.

Pavarësisht se rregullorja zgjedhore e KQZ-së për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës kërkon që votuesve të regjistruar për votim me postë t’u dërgoj përmes postës: fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes – kjo gjë është kundërshtuar nga përfaqësuesit e partisë Vetëvendosje, raporton KFVA.

Pas debateve të ashpëra ndërmjet përfaqësuesve të partive ish-opozitare dhe atyre të partisë së kryeministrit në largim, Albin Kurti, KQZ-ja nuk ka arritur që ta votojë planin e buxhetit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Pikërisht “mollë sherri” është bërë mungesa e planifikimit buxhetor për të zbatuar Rregulloren e KQZ-së për votim jashtë vendit dhe nenin 9 të saj.

Anëtarët e partive ish-opozitare kanë kërkuar që KQZ-ja të zbatojë rregulloren zgjedhore e cila është në fuqi dhe të mos rrezikohet integriteti i votimit jashtë Kosovës, siç ka ndodhur në zgjedhjet e 9 shkurtit ku një numër i madh i ankesave janë paraqitur dhe institucionet e drejtësisë janë duke zhvilluar hetime.

Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ-së, Ilir Gashi ka thënë se në zgjdhjet lokale të 12 tetorit kemi pasur një proces të votimit të diasporës me integritet të plotë, pasi që KQZ u kishte dërguar votuesve fletëvotimet original.

“Për herë të parë kemi dërguar fletëvotime origjinale në adresa të mërgimtarëve dhe ata kanë votuar siç e do rendi dhe ligji. Unë nuk do të doja të mendoja me u rikthy te 9 shkurti, te një proces i kontaminuar, me integritet të rrënuar, manipulativ”, ka thënë Gashi.

Në kundërshtim e sipër të qëndrimit të përfaqësuesit të PDK-së, anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi, ka zbuluar se si do të organizohet votimi me postë jashtë Kosovës nëse nuk do të përfillet rregullorja e KQZ-së. Ai ka zbuluar opsionin që votuesve t’ju dërgohen fletëvotime me kode. Kjo do të thotë se nëse votuesit nuk do të marrin fletëvotime përmes postës, ato do të mund t’i pranojnë me e-mail nga KQZ ose t’i printojnë nga faqja e KQZ-së.

“Opsioni i fletëvotimeve të rregullta nënkupton që deri me 5 janar të mos mundën të arrijnë te votuesit në mënyrë që ata të mund të dërgojnë përmes postës në adresa postare. Afatet që na ka dhënë sekretariati pamundësojnë votimin e mërgatës… Opsioni i dytë nga sekretariati është opsioni i cili nënkupton format të avancuar të regjistrimit të votimit përmes postës, që janë marrë veprime shtesë për shkak të sigurisë së dërgesës së fletëvotimeve me kode përkatëse, por edhe masa të tjera. Gjithashtu duhet pasur parasysh që edhe ky opsion ka pengesat e tyre kohore sepse disa nga postat meqenëse është fundviti do të ketë vonesa në dërgimin e fletëvotimeve.. 12 dhjetori është data kur fillon votimi përmes postës por nga raporti dhe konfirmimi, datat deri kur munden me mbërri fletëvotimet origjinale do të jetë deri më 5 janar, plotë 7 ditë pas përfundimit të procesit, do kemi situata ku do të harxhojmë para, do të bëjmë një lloj komedie edhe me qytetarët e votuesit”, tha Krasniqi.