Gjatë ditës së sotme, Prishtina ka njoftuar se me marrëveshje të dyanshme është ndarë me trajnerin Arsim Thaqi.
Thaqi e kishte marrë drejtimin e Prishtinës në muajin prill të sezonit të kaluar, duke e dërguar klubin kryeqytetas në finalen e Kupës dhe duke e fituar atë.
Megjithatë, pas njoftimit se Thaqi dhe Prishtina i kanë ndarë rrugët, nisën të qarkullojnë lajmet se Afrim Tovërlani do të jetë pasues i tij.
“Toki” në një prononcim për “Gazetën Express” ka bërë me dije se janë zhvilluar bisedime, megjithëse ende nuk ka diçka më konkrete.
“Jo nuk jom bo ende, biseda e takime ka pasë, ofertën e kam ende në tavolinë, por ende nuk ka diçka konkrete”, ka thënë Tovërlani për “Express”.
Tovërlani momentalisht është selektori i kombëtares U21 të Kosovës. 58-vjeçari u emërua selektor i kësaj grupmoshe në vitin 2022.
Tovërlani në të kaluarën ishte shpallur tri herë kampion me Prishtinën, për të fundit herë në sezonin 2012-2013.
Gjatë karrierës së tij menaxheriale, “Toki” ka drejtuar edhe Feronikelin, Trepçën ’89 e Ferizajn.
Prishtina momentalisht është e para në tabelën e Superligës së Kosovës me 26 pikë të tubuara në 14 xhiro.
