• 23 Nëntor 2025 22:34

“Do të padisë për shpifje”, “Do të sqarohemi në gjykatë”, Hoti e Sejdiu përplasen për autobusët në Prishtinë

Nën 23, 2025

Ish-ministri i Financave, Abdullah Hoti dhe ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu janë përfshirë në debatin për atuobusët në Prishtinë, ku kanë hedhur akuza mes njëri-tjetrit.

E gjitha nisi pasi Sejdiu reagoi lidhur me blerjen e autobusëve për Trafikun Urban të Prishtinës në vitin 2017, duke akuzuar Qeverinë e atëhershme të Isa Mustafës për bllokimin e projektit.

Sejdiu ka kujtuar se në vitin 2017, pas dy vitesh bllokim dhe presion të qytetarëve, Prishtina mori 51 autobusët e rinj, pas 30 vjetësh pa asnjë investim në transport publik

“Dhe që ta dini saktë se çfarë ka ndodhë: në vitet 2015–2017, autobusët e rinj kanë mbetur të bllokuar nëpër letra për dy vjet të plota, jo pse mungonin paratë, jo pse s’kishin dokumente, por sepse qeveria qendrore refuzonte me nënshkruar vetëm se projekti ishte i Prishtinës. E asokohe Prishtina udhëhiqej nga VV, ndërsa pushtetin qendror e kishte LDK. Çdo procedurë u zvarrit me qëllim, çdo justifikim u shpik. Ishte bllokadë politike e pastër, me një synim të vetëm, me e nënshtru qytetin që kishte votuar ndryshe. Dhe ajo bllokadë u thye vetëm kur qytetarët protestuan, firmosën peticione e dolën para derës së pushtetit. Vetëm atëherë qeveria u detyru me u tërheq.


Sot, historia po përsëritet, por me një cinizëm edhe më të madh. Nesër, Prishtina mbetet pa transport publik. Fajtori është politika që po e përdor qytetin si peng.”, ka shkruar ndër të tjera Sejdiu.

Pas këtij postimi, ka reaguar ish-ministri i Financave në atë kohë, Avdullah Hoti, duke thënë se problemi në atë kohë ka qenë te Komuna e Prishtinës dhe jo te Qeveria qendrore.

“Sejdiu po gënjen. Ai dhe shefi i tij nuk kryenin detyrimin ligjor përmes nxjerrjes së vendimit nga Kuvendi i Komunës, që do të garantonte pagesën e kredisë nëse NP Trafiku Urban dështon të paguajë kredinë. Sapo vendimi u miratua në Kuvend, marrëveshja u procedua në Qeveri dhe më tutje,” ka shkruar Hoti.

Ai ka shtuar se qëllimi i Sejdiut dhe i partisë së tij ka qenë të bëjnë një kauzë politike për të mbuluar dështimet e veta në Prishtinë, duke vazhduar me “politika të ulëta dhe të ndyra kundër LDK-së”.

Hoti ka paralajmëruar se nëse Sejdiu nuk kërkon falje publike, ai do të padisë për shpifje.

Nuk ka vonuar dhe Sejdiu i është kundërpërgjigjur Hotit, duke thënë se ky i fundit ka zgjedhur të hyjë në betejë kundër tij, jo kundër atyre që realisht po e shkatërrojnë transportin publik sot, dhe sipas Sejdiut kjo, në vetvete, flet shumë.

“Zotëria jo vetëm që ka zgjedhur me gënjy për të kaluarën, por po e përdor këtë gënjeshtër për t’i shërbyer narrativës së pushtetit aktual. Në vend se ta thotë qartë se çfarë po ndodh sot me transportin publik, ai ka vendosur me u marrë me mua, me vitin 2017, me një fotografi, me një postim”, thotë ndër të tjera Sejdiu.

Kurse, ai i kundërpërgjigjet Hotit edhe për padinë që paralajmëroi ndaj tij.

“Sa për padinë që përmendi: ju lutem, vazhdoni. Nuk ka askund më mirë se në gjykatë për me u sqaru edhe një herë publikisht bllokadën e asaj kohe. Nuk kam asnjë problem me këtë. Përkundrazi, është rast i artë që opinioni me i pa faktet e vërteta edhe një herë”, thuhet në kundërpërgjigjen e Sejdiut.