Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar sërish Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadë duke thënë se ata nuk e kanë marrë mesazhin në zgjedhjet lokale ku Prishtina iu besua edhe për një mandat kandidatit të LDK-së.
Abdixhiku përmes një postimi në Facebook paralajmëroi se më 28 dhjetor “mesazhi i Prishtinës do të përsëritet”, ndërsa kritikoi ashpër qeverisjen e Vetëvendosjes, të cilën e quajti “sekt popullist që e ka mision shkatërrimin e vendit”.
Sipas tij, propaganda nuk mund ta fshehë të vërtetën dhe koha e këtij modeli qeverisës “po mbaron”.
Postimi i tij i plotë:
Prishtinën e bllokuan.
Dhe Prishtina foli e para, foli qartë. LDK-në e riktheu si parti të parë; bllokuesit i la larg.
Mesazhin e Prishtinës nuk e paskan marrë qartë. Do ta marrin me 28 dhjetor sërish. Sepse Prishtina as nuk lakmohet e as nuk përdoret për beteja primitive të Don Kishotit me Sanço Pançot e tij.
Mund të bllokoni. Mund dhe të pengoni; sepse vetëm kaq dini, vetëm kaq mundeni. Por propaganda nuk e mund të vërtetën dot. Për 12 muaj të tërë, sikurse nën pushtim, e mbajtët Kryeqytetin pa buxhet. Na u dashtë të shpenzojmë energji e kohë që të mirëmbajmë Prishtinën me mund, të plaçkitur nga një sekt popullist që shkatërrimin e vendit e ka mision. Teksa shpërndanin vitra për votë; pa ligj e pa legjitimitet, për Prishtinë, Kryeqytetin e vendit të vet, në llumin e madh të burokracisë vazhduan ta mbajnë për plot një vjet.
Koha e tyre po mbaron.
Le të bashkohemi të gjithë.
Prishtina do të flasë sërish; e para!
