Roli “qendror” i Bashkimit Evropian duhet të “njihet plotësisht” në çdo plan paqeje për Ukrainën, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një deklaratë. Shefja e KE-së tha se, “Ukraina duhet të ketë lirinë dhe të drejtën sovrane për të zgjedhur fatin e saj. Dhe ajo ka zgjedhur një fat evropian. Reagimi vjen gjatë takimit të Gjenevës mes delegacionit ukrainas, europian dhe atij amerikan.
“Kufijtë e Ukrainës nuk mund të ndryshohen me forcë, ushtria e saj nuk mund të reduktohet duke e lënë atë të cenueshme ndaj një sulmi dhe Bashkimi Evropian duhet të ketë një rol qendror në një marrëveshje paqeje për Ukrainën. Çdo plan paqeje i besueshëm dhe i qëndrueshëm duhet para së gjithash të ndalojë vrasjet dhe t’i japë fund luftës, ndërkohë që nuk duhet të mbjellë farën për një konflikt të ardhshëm”, tha politikania gjermane.
“Ne kemi rënë dakord mbi elementët kryesorë të nevojshëm për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe sovranitetin e Ukrainës. Më lejoni të theksoj tre prej tyre. Së pari, kufijtë nuk mund të ndryshohen me force. Së dyti, si një komb sovran nuk mund të ketë kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës që do ta linin vendin të cenueshëm ndaj sulmeve të ardhshme dhe në këtë mënyrë do të dëmtonin edhe sigurinë evropiane. Së treti, roli qendror i Bashkimit Evropian në sigurimin e paqes për Ukrainën duhet të reflektohet plotësisht. Ukraina duhet të ketë lirinë dhe të drejtën sovrane për të zgjedhur fatin e vet. Ata kanë zgjedhur një fat evropian”.
