• 23 Nëntor 2025 18:57

Ndërprerja e transportit publik, Murati i reagon Ramës

Nën 23, 2025

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama,konfirmoi ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme, për shkak të buxhetit të bllokuar.

Pas këtij lajmi, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se “Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike”, por sipas tij, stafi i komunës së Prishtinës kishte përfunduar orarin e punës me arsyetimin se do t’i kryenin të hënën.

“Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën”, shkruan mes tjerash Murati.

Reagimi i tij i plotë:

Të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike.

Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.

Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm.

Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën.

Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielen.

Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend.

Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria.