Legjenda turke Hakan Sukur ka lavdëruar Kombëtaren e Kosovës në podcastin e tij, duke thënë se arritja në “play-off” është jashtëzakonisht e madhe duke pasur parasysh grupin tepër të vështirë.
Hakan Sukur, një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit turk, foli me superlativa për Kosovën në podcastin e tij.
“Kosova është vendlindja e babait tim. Babai im ka lindur në Prishtinë. Kosova, kur e sheh grupin ku ishin Zvicra, Sllovenia dhe Suedia, arritja e tyre nuk duhet nënvlerësuar. Kosova vjen nga ish-Jugosllavia, vende që janë minierë për sportistë. Kosova përfaqëson anën e fortë. Është e vërtetë që Kosova humbi 3-0 ndaj Rumanisë (kundërshtare e Turqisë), por shiko, Kosova ka arritur të sigurojë një vend në ‘play-off’ në këtë grup të vështirë. Kur i sheh rezultatet e Kosovës, ajo ka pasur mundësi të përfundonte e para në këtë grup,” tha fillimisht Sukur.
Sukur bëri me dije se Kosova nuk duhet nënvlerësuar nga askush dhe paralajmëroi Sllovakinë për “kurthin” e “Dardanëve”.
“Edhe nëse shihen si hallka më e dobët në këtë fazë, Sllovakia nuk do ta ketë të lehtë. Nuk dihet nëse Sllovakia do të luajë siç luajti kundër Gjermanisë dhe, nëse luajnë një lojë ofensive, atëherë mund të bien në kurthin e Kosovës.”
Ai vlerësoi disa lojtarë të Kosovës dhe disiplinën e ekipit, duke shtuar se edhe Turqia do ta ketë shumë të vështirë ndaj fituesit të këtij dueli.
Sipas tij, Kosova kishte potencialin të përfundonte e para në grup, falë disiplinës dhe planit të qartë të lojës që tregoi gjatë gjithë kualifikueseve.
“Kosova, si e dyta, është shumë më e mirë se Rumania. Shiko grupin e Kosovës, të gjitha skuadrat kishin mundësinë ta mposhtnin njëra-tjetrën, por duket se Kosova, me plan dhe disiplinë, e ka arritur këtë sukses”, shtoi ai.
Sukur paralajmëroi se, megjithëse shpesh konsiderohet si “hallka më e dobët”, Kosova është shumë e fortë dhe e rrezikshme, sidomos për Sllovakinë. Ai u fokusua te cilësitë individuale të lojtarëve si Milot Rashica dhe Vedat Muriqi, duke theksuar se “Dardanët” luajnë futboll sulmues dhe fizik.
“Kosova ka lojtarë të mirë, si Milot Rashica dhe Vedat Muriqi. Kosova është një skuadër e mirë, një skuadër sulmuese. Muriqi është sulmues që luan në Spanjë. Ai nuk është i shpejtë, por në lojën ajrore është shumë i mirë dhe di ta përdorë shumë fizikun e tij.”
“Ndeshja mes Kosovës dhe Sllovakisë do të jetë shumë e vështirë. Kushdo që avancon, e di që Turqia do ta ketë shumë të vështirë, sepse këto ndeshje janë për kualifikimet e Kupës së Botës. Janë dy ndeshje dhe gjithçka varet nga rrethana të tjera,” përfundoi legjenda turke.
