• Fri. Nov 21st, 2025

KPK nxjerr vendimin për shkarkimin e Kelmendit: U bë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat

Nov 21, 2025

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thënë se shkarkimi i Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit u bë në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe rregullat e etikës profesionale.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka përpiluar me shkrim dy vendimet: vendimin për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe vendimin tjetër për emërimin e Agron Qalajt në këtë pozitë. “

Në vendimin për shkarkimin e Kelmendit thuhet se  KPK, në takimin e 278-të të datës 20 nëntor 2025, ka propozuar shkarkimin e Kelmendit nga kjo pozitë, me arsyetimin se nga zhvillimet e fundit përkitazi me zgjedhjen e anëtarit të Këshillit ai ka shprehur publikisht një qëndrim të njëanshëm, përfshirë deklaratat në takimet e Këshillit dhe pozicionet publike në media.

Tutje aty potencohet se,  pas propozimit të kësaj pike, pesë anëtarë të KPK-së e kanë lëshuar takimin në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme, pa asnjë arsyetim të bazuar, përfshirë këtu edhe vetë Kelmendin.

Vendimi tutje arsyeton se “në rastet e përjashtimit të një anëtari të organit kolegjial, organi funksionon si i tillë pa pjesëmarrjen e anëtarit të përjashtuar. Kuorumi dhe vendimmarrja llogaritet pa marrë në konsideratë vendin apo votën e anëtarit të përjashtuar”

“Me propozimin e kësaj pike, 5 (pesë) nga anëtarët e Këshillit, e lëshuan Takimin në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme, pa asnjë arsyetim të bazuar, përfshirë edhe vetë U.D. sẽ Kryeprokurorit të Shtetit, i cili në mbështetje të dispozitave ligjore në fuqi, do të duhej që të largohej dhe të mos merrte pjesë në Takim, pasi që ishte parashtruar kërkesë për shkarkimin e tij në Këshill, me qëllim që të evitohet vendimmarrja e njëanshme dhe konflikti i interesit, meqë vetë ishte subjekt i diskutimit të kësaj pike të propozuar në rend dite, ashtu siç edhe përcaktohet me dispozitat ligjore tw nenit 31 (par. 4) të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative “Në rastet e përjashtimit të një anëtari të organit kolegjial, organi funksionon si i tillë pa pjesëmarrjen e anëtarit të përjashtuar. Kuorumi dhe vendimmarrja llogaritet pa marrë në konsideratë vendin apo votën e anëtarit të përjashtuar”

Po ashtu, bazuar edhe në dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, në nenin 17, në të cilën është e rregulluar procedura e deklarimit në rast të interesit privat të zyrtarit, ndërsa në nenin 19 të tij, është përcaktuar se zyrtari merr masa për vetëpërjashtimin ose përjashtimin paraprak nga procesi i vendimmarrjes, diskutimit dhe votimit të çështjes ku i njëjti është subjekt.

Përkundër faktit se ai është paralajmëruar disa herë se duhet që të largohet nga Takimi dhe se qëndrimi i tij në Takim përbën shkelje të këtyre dispozitave ligjore, megjithatë ai ka vazhduar që të qëndroj në takim duke u përpjekur me këmbëngulësi që ta arsyetoj vazhdimin në pozitën e tij aktuale, derisa anëtarët e tjerë filluan që të dalin nga Takimi”, thuhet ndër të tjera në vendimin që është bërë publik.

Ndërkaq në vendimin tjetër për emërimin e Agron Qalajt në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se Qalaj do ta ushtrojë këtë pozitë nga data 21 nëntor 2025 e deri në një vendim tjetër.